Nga Alesia Balliu
Sot, pasi pashë atë sjellje të shëmtuar të kolegëve të mi politikanë dhe ish-kolegëve të mi demokratë, më kujtua një shprehje që kam lexuar në adoleshencën time, në një prej kryeveprave të letërsisë italiane, pikërisht në kryeveprën e Alessandro Manzonit: “I Promessi Sposi”:
“Për njeriun në vështirësi, pothuajse çdo gjë është një pengesë e re.”
E pra, PDSH sot ndodhet në situatën më të vështirë të ekzistencës së vet. E kuptoj dhe e mirëkuptoj sikletin e atyre qenieve që janë vetëshpallur demokratë, ndërkohë që në qenësinë dhe ekzistencën e tyre, as grimca më e vogël nuk i përngjan një demokrati dhe kurrë nuk është ushqyer në burimin e demokracisë. Një demokrat dhe një përfaqësues i demokracisë kurrë nuk shpalos dhe nuk përqafon dhunën.
Më thoni: si mund një demokrat të manifestojë dhe të ushtrojë dhunë kundër gazetarëve dhe gazetarisë, e cila është simboli i fjalës së lirë dhe, për më tepër, krahu i djathtë i një opozite të shëndoshë? Opozita pretendon se ndaj votuesve është ushtruar dhunë për votën, dhe të pretendosh nuk do të thotë se je duke evidentuar të vërtetën. Gjithsesi, sa patetike: manifestojnë për pretendimin e dhunimit të votës, duke dhunuar gazetarët!
Unë e kuptoj pse e bëjnë: sepse edhe vetë atyre, thellë-thellë, u vjen shumë turp që janë duke protestuar për paaftësinë e tyre në konceptimin dhe bërjen e politikës. U vjen shumë turp që vazhdojnë dhe adhurojnë idetë e prapambetura dhe arkaike të një plaku. E kuptoj që, edhe për vetë ata, është e turpshme, sepse e kuptojnë që janë shndërruar në qesharakë, duke besuar në aftësitë e një plaku të paaftë.
Sepse, të dashur miq, nuk ka fatkeqësi më të madhe për një popull sesa të besojë në aftësitë e një të paafti. U drejtohem të gjithë pseudo- dhe vetëshpallurve demokratë: derisa artikuluat me elozhe aftësinë tuaj në qenësinë demokratike dhe ndërtimin e një demokracie të shëndoshë, ishit shumë karizmatikë. Por, kur filluat t’u besonit verbërisht këtyre idiotesive egoiste, u shndërruat në qesharakë. Ju këtë gjë e kuptoni dhe e dini mirë, prandaj dhe sulmoni gazetarët, sepse nuk doni që të mediatizohet injoranca dhe budallallëku juaj.
Është shumë e turpshme për ju, por ajo që më bën të ndihem më keq, është fakti që jetoj në një shtet ku opozita nuk ekziston. Dhe për më tepër, është mbledhur një grusht injorantësh dhe fodullësh, që kërkojnë të vijnë në pushtet duke pretenduar një fitore me qaravitje dhe ankesa. Për t’u rikthyer tek kryevepra e Alessandro Manzonit: ju jeni njeriu në vështirësi dhe jeni aq shumë në vështirësi, sa edhe gazetarët që janë simboli i fjalës së lirë ju duken si një pengesë e re dhe i sulmoni. Turp, turp dhe vetëm turp!
Një këshillë të fundit për ju, pseudo-demokratë dhe ish-kolegët e mi: Dikur, Sofokliu shkruante: “Më mirë një dështim me nder, sesa një fitore me dredhi.” Pranoni me nder dështimin tuaj të radhës dhe ju siguroj se do të jeni më të fituar.