Ballina Bota Vrasësi serik famëkeq u ekzekutua në Florida – fjalët e fundit ia...

Vrasësi serik famëkeq u ekzekutua në Florida – fjalët e fundit ia drejtoi Trumpit

31
0

Glen Rogers, i njohur si “Vrasësi Kazanova”, ekzekutohet me injeksion vdekjeprurës në Florida.

Rogers 62-vjeçar u ekzekutua mbrëmjen e kaluar me injeksion vdekjeprurës në burgun shtetëror të Floridës, pranë qytetit Starke, pas gati tri dekadash të kaluara në radhën e të dënuarve me vdekje.

Pak çaste para ekzekutimit, Rogers tha gjashtë fjalë të drejtuara presidentit amerikan, Donald Trump.

“President Trump, vazhdo ta bësh Amerikën të madhe.” Pastaj shtoi “Jam gati të shkoj’”, shkruan nbcnews.

Rogers ishte dënuar me vdekje për vrasjen e Tina Marie Cribbs, një nënë 34-vjeçare e dy fëmijëve, trupi i së cilës u gjet në një dhomë moteli në Tampa në vitin 1995. Pak kohë pas krimit, ai u arrestua në Kentucky teksa drejtonte makinën që i përkiste viktimës.

Menjëherë pas arrestimit, ai pretendoi përpara policisë se kishte vrarë 70 gra, megjithëse u dënua ligjërisht vetëm për dy vrasje – përveç Cribbs, edhe për vrasjen e Sandra Gallagher në Kaliforni, po ashtu në vitin 1995.

Sipas prokurorisë, Gallagher – një nënë e tre fëmijëve – ishte mbytur nga Rogers pasi ishin njohur në një bar në Van Nuys. Të dyja viktimat ai i kishte takuar gjatë daljeve të natës.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, firmosi urdhrin për ekzekutimin muajin e kaluar, pasi u hodhën poshtë tre apelimet ndaj vendimit.

Gjatë viteve, Rogers ka pretenduar se ishte i përfshirë edhe në krime të tjera, përfshirë edhe vrasjen e Nicole Brown Simpson dhe Ron Goldman në vitin 1994, por policia e Los Angelosit i ka hedhur poshtë këto pretendime si të pabazuara.

Historia e tij kriminale ishte gjithashtu subjekt i një filmi televiziv, ku aktorja Mena Suvari interpretoi rolin e Nicole Brown Simpson.

Rogers u shpall zyrtarisht i vdekur në orën 18:16 me orën lokale.