Nga data 17 deri më 31 maj, Shqipëria mirëpret edicionin e radhës të Javës Kulturore të Evropës, një festë gjithëpërfshirëse e artit dhe kulturës që do të shtrihet në nëntë qytete: Tiranë, Kamëz, Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Berat dhe Pilur (Himarë).
Me një program të pasur prej mbi 45 aktivitetesh, kjo javë ofron një platformë për bashkëpunim ndërkombëtar, reflektim publik dhe shprehje artistike.
Artistë si Blerta Kambo, Olsi Hoxha, Redina Qose, Rona Nishliu, Gentian Doda, Lorin Terezi, Harlen Nikolli, e shumë të tjerë do të sjellin përmes muzikës, teatrit, filmit, ekspozitave, performancave dhe bisedave, një përjetim të thellë mbi çështje si identiteti, kujtesa, liria, përkatësia dhe dashuria.
Programi përfshin gjithashtu biseda me artistë, forume për dialog dhe reflektim mbi rolin e artit në shoqëri – duke shndërruar qytetet shqiptare në skena të hapura të mendimit kritik dhe krijimtarisë kolektive.
Java e Evropës 2025 është një hapësirë bashkëpunimi ku kultura vepron si urë mes qytetarëve, komuniteteve dhe vlerave evropiane. Kjo iniciativë nuk synon të përshkruajë Evropën, por t’i japë zë atyre që e jetojnë dhe e ripërfytyrojnë atë, përmes gjuhës së përbashkët të artit.
Pas Javës Kulturore të Evropës, Javët Kulturore Ndërkombëtare, nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit vijojnë me Italinë, për tu pasuar nga Izraeli, Suedia, Franca etj.