Pavarësisht spekuli meve nga mediat ruse për një ndryshim të mundshëm në stolin e kombëtares serbe, Federata e Futbollit të Serbisë ka mohuar kategorikisht zërat për largimin e trajnerit aktual Dragan Stojkoviç. Raportimet vijnë nga portali rus “legalbet.ru”, ku gazetari Anar Ibragimov ka pretenduar se ish-kapiteni i Serbisë, Dejan Stankoviç, kishte ndërruar agjentin në nëntor 2024, dhe se ky i fundit i kishte premtuar se do t’i siguronte postin e trajnerit të Serbisë në një të ardhme të afërt.
Portali përmend gjithashtu se Stankoviç mund të largohet nga Spartaku i Moskës në fund të sezonit, ndonëse është nën kontratë deri në qershor 2026. Por federata serbe i ka hedhur poshtë këto zëra. Zyrtari i FSS-së, Milan Vukoviç, ka deklaruar për mediat se nuk ka pasur asnjë bisedë me Stankoviçin për një rol në kombëtare: “Informacionet për përfshirjen e supozuar të Dejan Stankoviç në kombëtare nuk janë të sakta. Ai është një figurë e madhe e futbollit serb dhe gëzon respektin tonë, por nuk ka pasur kurrë bisedime për angazhimin e tij si trajner i përfaqësueses”, u shpreh Vukoviç.
Ai theksoi gjithashtu se Dragan Stojkoviç mbetet trajner i Serbisë dhe do të drejtojë ekipin në ciklin e rëndësishëm kualifikues për Kupën e Botës, që nis pikërisht me sfidën kundër Shqipërisë më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë. Ky takim pritet me interes të madh, jo vetëm për rëndësinë që ka në aspektin sportiv, por edhe për ngarkesën historike dhe atmosferën e veçantë që përballjet mes dy vendeve kanë sjellë në të kaluarën.
NË FAVOR- Këto zhvillime vijnë në një moment kritik dhe mund të konsiderohen si lajm pozitiv për Kombëtaren shqiptare, e cila po përgatitet për një përballje historike në Tiranë. Turbulencat dhe pasiguria në kampin serb, pavarësisht mohimeve zyrtare, kanë gjasa të ndikojnë në atmosferën e brendshme dhe fokusin e skuadrës së Stojkoviçit. Në një përballje kaq të ndjeshme si Shqipëri–Serbi, çdo luhatje në stabilitetin e kundërshtarit mund të jetë një përparësi e vlefshme për kuqezinjtë, që do të kenë edhe përkrahjen e plotë të tifozëve në shtëpi.