Ballina Europë Londra godet rëndë Kremlinin me 100 sanksione të reja, synohet ushtria dhe...

Londra godet rëndë Kremlinin me 100 sanksione të reja, synohet ushtria dhe ekonomia

36
0

Britania ka njoftuar të martën sanksione të reja kundër Rusisë, që synojnë sektorët ushtarak, energjetik dhe financiar, duke rritur kështu presionin ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

Sipas autoriteteve britanike, Reuters raporton se 100 sanksionet e reja vijnë pas sulmeve ruse me dron të fundjavës ndaj qyteteve ukrainase, që përbëjnë sulmin më të madh me dronë në këtë luftë.

Ndërkohë, bëhet e ditur se masat e reja synojnë zinxhirët e furnizimit të sistemeve të armëve ruse, përfshirë raketat Iskander, operacionet e informacionit të financuara nga Kremlini, institucionet financiare që ndihmojnë në shmangien e sanksioneve si dhe anijet në të ashtuquajturën “flotë hije” të Rusisë për transportin e naftës.

“Ne i bëjmë thirrje presidentit rus Vladimir Putin të pranojë një armëpushim të plotë dhe pa kushte menjëherë, në mënyrë që të ketë hapësirë për bisedime mbi një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme,” ka deklaruar ministri i Jashtëm britanik David Lammy, duke shtuar se vendi ka qenë i qartë se vonesa ruse për përpjekje për paqe, “vetëm do ta forcojë vendosmërinë”.

“Ne kemi qenë të qartë se vonimi i përpjekjeve për paqe vetëm do të forcojë vendosmërinë tonë për ta ndihmuar Ukrainën të mbrohet dhe për të përdorur sanksionet tona për të kufizuar makinerinë e luftës së Putinit,” është shprehur Lammy.