Ministri amerikan i Shëndetësisë dhe politikave sociale, Robert F. Kennedy Jr., e quajti Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një institucion “i fryrë në mënyrë burokratike” dhe “në grahmat e fundit”.
Kennedy e tha këtë në një video mesazh të shfaqur për zyrtarët shëndetësorë që u mblodhën sot në asamblenë vjetore të organizatës në Gjenevë.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara janë donatori kryesor i agjencisë së OKB-së, përfaqësuesit e tyre shpallën tërheqjen nga organizata që në ditën e parë kur Donald Trump mori detyrën si president amerikan, duke e lënë OBSH-në me një mungesë të madhe në buxhet, të cilën shtetet anëtare po përpiqen ta zgjidhin këtë javë përmes reformave.
“I bëj thirrje ministrave të shëndetësisë nga e gjithë bota dhe OBSH-së që të e kuptojnë tërheqjen tonë nga organizata si një thirrje për t’u zgjuar”, tha ai në një video të regjistruar për Fox News, e cila më pas u transmetua në asamblenë në Gjenevë.
“Jemi tashmë në kontakt me vende me mendim të njëjtë dhe i nxisim edhe të tjerët të marrin në konsideratë mundësinë për t’iu bashkuar nismës sonë”, shtoi ai.
Fjala e tij nuk shkaktoi asnjë reagim nga anëtarët e asamblesë. Diplomatët dhe ministrat kryesisht e ndoqën fjalimin në heshtje.