Gazetari Bledian Koka i ftuar në një emision televiziv ka komentuar zhvillimet zgjedhore dhe realitetin politik në vend. Ai i cilësoi zgjedhjet si farsë dhe sistemin elektoral si një mekanizëm që po i nënshtrohet gjithnjë e më shumë deformimit.
“Ti nuk mund të pish të gjithë detin për të kuptuar se uji është i kripur”, tha Koka, duke nënvizuar se shenjat e manipulimit janë të dukshme.
Sipas tij, nuk ka ndodhur ndonjë çudi e madhe, pasi ky është një sistem që paralajmëron përkeqësim dhe nënshtrim të mëtejshëm të popullit.
“Ky është një regjim që u thotë njerëzve: përveç që ju kontrolloj jetën, ju fus në burg, ju zhvlerësoj lekët, ju kontrolloj edhe ëndrrat. Pallati i Ëndrrave i Kadaresë është realitet. Ne po e jetojmë në mota-mo, Pallatin e Ëndrrave të Edi Ramës”, u shpreh ai.
Gazetari vuri theksin edhe te votat e opozitës, duke theksuar se 530 mijë shqiptarë që votuan për një alternativë të dytë meritojnë transparencë të plotë për atë që ka ndodhur me procesin zgjedhor.
Duke marrë shembull Elbasanin, ai deklaroi se një figurë anonime si Sara Mila doli deputete jo për meritat e saj, por për shkak të ndikimit të bandave të Suel Çelës. “Sara Mila në Elbasan ka prodhuar 3 deputetë, jo një. Arkend Balla në Durrës po ashtu. Këto janë produkte të bandave dhe të pushtetit që kanë deformuar rezultatin”, deklaroi Koka.
Ai përfundoi se ky është fenomeni i deformimit të vullnetit qytetar përmes ndërhyrjes së strukturave kriminale dhe abuzimit me pushtetin.
Koka: Ti nuk mund të pish të gjithë detin për të kuptuar se uji është i kripur.
Të gjitha këto që po diskutojmë aktualisht janë tregues i një farse zgjedhore të turpshme e cila i sfidon inteligjencën edhe njerëzve që shumë pak e kuptojnë sistemin elektoral.
Këtu nuk është se kemi ndonjë çudi të madhe, problem është se ky është një sistem i cili paralajmëron të përkeqësohet akoma edhe më shumë, paralajmëron ta nënshrojë popullin akoma edhe më shumë sepse këto janë tregues force të një regjimi i cili u thotë njerëzve se përveç që unë ju kontrolloj jetën, ju kontrolloj jetën, ju fus në burg, ju nxjerr nga burgu, ju rris çmimet, ju zhvlerësoj lekët, ju bëj të rrëshkisni në varfëri, unë ju kontrolloj edhe verdiktin, edhe atë që ju shikoni. Ju kontrolloj edhe ëndrrat, Pallati i Ëndrrave i Kadaresë.
Fiks, ne jemi duke e parë në mota-mo, Pallatin e Ëndrrave të Edi Ramës.
Unë mendoj se 530 mijë shqiptarë që votuan që ky vend të ketë opozitë, sot meritojnë më së shumti një përfshirje konkrete se çfarë ka ndodhur me procesin zgjedhor.
E dinte gjithë dynjaja që një njeri anonim në Elbasan do dilte deputet me 100% dhe ka një gjë, se trememi ne se Sara Mila ka dalë deputete, nuk ka dalë Sara Mila deputete, për hir të Sara Milës, bandat e Suel Çelës në Elbasan kanë favorizuar 3 deputetë, sepse 20 e ca mijë vota në Elbasan do të thotë 3 deputetë.
Sara Mila në Elbasan ka prodhuar 3 deputetë, jo një, Arkend Balla në Durrës ka prodhuar 3 deputetë e jo një dhe të gjithë ata individë që kanë dalë me super vota, që nuk i duheshin aq, janë të gjitha ato angazhime të bandave, dhe të bandave të pushtetit të cilët kanë prodhuar më shumë deputetë sesa ç’gjykohen ata dhe ky është fenomeni i deformimit.