Ballina Dossier FOTO e vitit 1943 në Labinot dhe HISTORIA e eliminimit të Liri...

FOTO e vitit 1943 në Labinot dhe HISTORIA e eliminimit të Liri Gegës nga Enver Hoxha

31
0

Nga Hemelita Boriçi

Historia e eliminimit që i’u bëri Enver Hoxha pjesës më të madhe të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që u formua më 10 korrik 1943 në fshatin Labinot të Elbasanit, midis tyre dhe Liri Gega

Liri Gega, lindur në vitin 1917, në Gjirokastër , ka qenë anëtare e Grupit Komunist të Shkodrës, veprimtare e Partisë Komuniste të Shqipërisë, partizane dhe anëtare e byrosë politike. Gega përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qenë, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.

Më 22 nëntor 1956, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë e deklaroi fajtore “për krimet e tradhtisë ndaj atdheut në formën e spiunazhit dhe të tentativës së arratisjes, si dhe agjitacion e propagandë” dhe e dënoi me vdekje dhe konfiskimin e pasurisë. Me dënimin e Liri Gegës më 1956 i nxirret prova e fonogramit të saj. Liri Gega njoftonte nga Peshkopia “se detyra u krye”, dmth Gjinishi ishte vrarë – akuzë kjo që iu bashkangjit akuzave të tjera të cilat e shpunë drejt pushkatimit bashkë me të shoqin.

Në dhjetor të vitit 1956 Liri Gega së bashku me bashkëshortin e saj, Dali Ndreu, pushkatohen në një vend që nuk u mor vesh kurrë.
Një nga faktet më tronditëse që lidhet me ekzekutimin e Liri Gegës është ai që vjen nga disa burime të shkruara jugosllave, ku pretendohet se në momentin e pushkatimit ajo mund të ketë qenë shtatzënë rreth gjashtë muajsh. Kjo dëshmi, nëse do të provohej e saktë, do të përbënte një akt të rëndë si nga pikëpamja ligjore e morale, por dhe do shërbente si një tregues tragjik i ashpërsisë së pa tolerueshme me të cilën regjimi komunist i Shqipërisë trajtonte edhe njerëzit e vet.
Sidoqoftë, ky pretendim mbetet në nivelin e një supozimi, pasi asnjë dokument zyrtar shqiptar nuk e ka konfirmuar këtë fakt.

Emra të njohur të kohës, si Ramiz Alia , i cili më vonë do të merrte drejtimin e shtetit shqiptar pas vdekjes së Enver Hoxhës , ka pohuar se nuk ekziston asnjë provë konkrete që të vërtetojë se Liri Gega ka qenë shtatzënë në kohën kur u dënua dhe u pushkatua. Në të njëjtën linjë ka folur edhe Mustafa Qelimi, ish-nënkryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, i cili ka deklaruar se në aktet hetimore dhe gjyqësore të asaj kohe nuk ka pasur asnjë të dhënë që të mbështesë këtë pretendim.