Ballina Ekonomia Bizneset kërkojnë punëtorë, mungesat më të mëdha në turizëm dhe ndërtim

Bizneset kërkojnë punëtorë, mungesat më të mëdha në turizëm dhe ndërtim

23
0

Agjencia Kombëtare e Punësimit raporton se aktualisht janë 6.639 vende të lira pune. Nëse analizojmë shifrat, sektori i hoteleri-turizmit është ai me nevojën më të madhe për fuqi punëtore, me 771 pozicione boshe, kryesisht për kamarierë, pastrues dhomash, banakierë dhe ndihmës në kuzhinë.

“Shqipëria po përballet me një sfidë goxha të dukshme në tregun e punës, me mungesën e fuqisë punëtore. Nga ndërtimi te turizmi, bizneset po hasin shumë probleme me gjetjen e punonjësve. Kërkesat e sektorit të turizmit janë të shumta. K është viti i pestë që merrrem me sezonin dhe shohim që kërkesat për punëtorë të huaj janë shumë të larta vetëm sepse punëtorët vendas kanë emigruar. Ne kemi një databazë ku regjistrojmë çdo kandidat që kemi punësuar më parë dhe kur telefonojmë për t’iu ofruar një vend pune për sezonin turistik, shumë prej tyre thonë se kanë emigruar”, tha Iva Çarçiu.

Si zgjidhje po vazhdojnë të shihen punëtorët e huaj. Gjatë tre muajve të parë të vitit, Agjencia e Punësimit ka pajisur me leje unike afro 2.600 të huaj dhe 89% e tyre ishin punëmarrës. Pjesa më e madhe e punëtorëve të huaj erdhën nga Italia, Turqia, Filipinet, India dhe Egjipti.

“Bizneset po rekrutojnë nga jashtë, vijnë nga Nepali, Egjipti, Filipinet.Nuk është e thjeshtë edhe për bizneset, shohim që bizneset që të rekrutojnë një punonjës të huaj, marrin një risk shumë të madh sepse kur rekruton një punonjës nga Filipinet, nuk e di kush është ky, sa produktiv është, nuk e di çfarë punësh ka bërë më parë. Duhet të ofrosh edhe akomodimin, edhe ushqimin”, tha Çarçiu.

Problemi i gjetjes së fuqisë punëtore i ka shoqëruar bizneset për të paktën 3 vitet e fundit, pavarësisht rritjes së pagave që është bërë.