Ish-kandidatja për deputete nga Partia Demokratike në Durrës, Ilirjana Kuçana, ka shprehur hapur pakënaqësinë e saj ndaj mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve në zgjedhjet e fundit, duke e cilësuar listën e mbyllur si një ndër gabimet që i kanë kushtuar PD-së.
“Unë kam zgjedhur t’iu them të vërtetën demokratëve dhe këtë e kam bërë edhe brenda forumeve dhe do ta them sërish kur të bëhet analiza e brendshme. Ka pasur problematika, gabime, edhe në listën e mbyllur.
Unë jam një zë që e kam thënë që kjo nuk ishte një listë e mbyllur që i duhej PD-së. Këto gabime kanë kushtuar, me njerëz që i kemi provuar që kanë humbur në disa zgjedhje.
Ne nuk mund të çojmë drejtues politikë njerëz që kanë humbur zgjedhjet disa herë në një qark apo që janë humbës serialë. PD-ja duhet të çojë njerëz që janë të aftë të përballen me bandat kriminale”, tha ajo në A2 CNN.
E pyetur nëse drejtuesi i qarkut Oerd Bylykbashi është një prej tyre, Kuçana u shpreh: “Patjetër që kam pritur më shumë nga zoti Bylykbashi, pasi nuk kam pse e bëj unë betejën me bandat kriminale dhe nuk kam pse të jem unë përballë SPAK-ut, pasi nuk jam as drejtuese qarku dhe as kryetare.
Unë kam qenë një kandidate në listë të hapur që jam përballur me bandat kriminale. Në Qarkun e Durrësit janë shumë të paktë ata që guxojnë t’ua përmendin emrat. Hezitojnë t’ua përmendin emrat e jo më t’i çojnë në SPAK”, tha Kuçana.