Ballina Ekonomia Kredia e bankave shqiptare jashtë vendit arrin nivelin më të lartë në...

Kredia e bankave shqiptare jashtë vendit arrin nivelin më të lartë në shtatë vitet e fundit

43
0

Sektori bankar ka rritur ndjeshëm kreditimin jashtë vendit në muajt e parë të këtij viti. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit prill, kredia e dhënë për huamarrës jorezidentë në Shqipëri arriti në 62.2 miliardë lekë. Që nga fillimi i vitit, ky portofol është rritur me 12 miliardë lekë, ose rreth 23.7%. Rritja është edhe më e lartë me bazë vjetore, me pothuajse 40% më shumë.

Kredia për jorezidentët ka arritur nivelet më të larta në shtatë vitet e fundit. Mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill huaja për jorezidentët përbën rreth 6.7% të portofolit të sektorit bankar, nga rreth 5.6% që zinte një vit më parë.

Kredia e sektorit bankar për jorezidentët pati arritur arriti nivelet më të larta në mesin e vitit 2017. Një pjesë e madhe e kredisë jashtë vendit lidhej sidomos me aktivitetin e degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë. Pasi dega në fjalë u nda nga banka mëmë në Shqipëri, në fillim të vitit 2019, kjo kredi pësoi rënie të ndjeshme. Edhe në momentin kur kredia jashtë vendit arriti pikun, ajo ishte e kufizuar në pak banka të mëdha të sistemit.

Aktualisht, Credins Bank ka degë të saj edhe në tregun e Kosovës, që vazhdojnë të klasifikohen si pjesë e bankës mëmë në Shqipëri. Nga pikëpamja statistikore, portofoli i Credins Kosovë klasifikohet si kredi për jorezidentët, megjithëse banka ushtron aktivitet si bankë lokale në Kosovë.

Përveç këtyre rasteve, megjithatë, ka pasur edhe banka që s’kanë aktivitet jashtë vendit që janë shfaqur të interesuara për të dhënë kredi te subjekte jorezidente. Në raste të veçanta, si ai i Bankës Kombëtare Tregtare, një pjesë e kredisë është dhënë për palë të lidhura brenda grupit të biznesit Çalik.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për subjektet jorezidente në pjesën më të madhe është kredi e dhënë për bizneset, e dominuar kryesisht nga maturiteti afatgjatë. Banka të veçanta kanë eksploruar alternativa huadhënieje në vendet e rajonit, duke pasur parasysh edhe sasinë e mëdha të fondeve në valutë të huaj. Pjesa më e madhe e depozitave të publikut në sektorin bankar janë në Euro, por tregu i brendshëm nuk ofron alternativa të tjera të investimit të fondeve në valutë të huaj, përveç kredidhënies.

Në vitet e fundit kreditimi po shfaqet gjithnjë e më i orientuar drejt Lekut, i nxitur edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë për uljen e përdorimit të Euros dhe për shmangien e rrezikut të kursit të këmbimit. Në këto kushte, disa prej bankave të sistemit kanë eksploruar edhe tregjet e huaja të huadhënies, me fokus kryesisht te klientët biznes./ Monitor