Ballina Opinion ‘Luigji I, Mbreti i Deleve’ dhe varësia nga pushteti!

‘Luigji I, Mbreti i Deleve’ dhe varësia nga pushteti!

34
0

Nga Irena Beqiraj 

Një erë e fortë sjell një kurorë letre mbi kullotë. Dashi Luigj e vendos atë në kokë. Dhe në përputhje me rrethanat vetëshpallet Luigji I, Mbreti i Deleve. Me një kurorë në kokë, Luigji e di saktësisht se çfarë lloj mbreti do të ishte: erudit dhe i plotfuqishëm. Ai ndihet plotësisht i përshtatshëm për jetën mbretërore. Ndërsa anëtarët e mbretërisë vazhdonin të kullosin dhe të tresnin ushqimin, Luigji mban një fjalim në altoparlant, ku i njoftoi se tani e tutje, të tjerët duhet t’i shërbejnë atij.

Ai dehet aq shumë nga pushteti sa mendon se në sundimin e tij duhej vendosur rregull, ndaj edhe vendosi të dëbonte te gjitha delet që nuk i ngjajnë atij.

Por Lugji nuk duhet të rehatohej shumë, pasi nuk mund te parashikonte afrimin e stuhisë. Erërat filluan sërisht të frynë, duke ja hequr kurorën.

Luigji i I Mbreti i Deleve është një tregim për fëmijë i autorit francez Olivier Tallec, i cili me saktësi dhe thellësi të përpiktë, tregon një model sjelljeje mjerisht të njohur si ‘dehja nga pushteti’.

Të qenit i/e dehur apo i/e varur nga pushteti është më e dëmshme se çdo formë tjetër intoksikimi apo helmimi. Kjo varësi krijohet kur pushteti ushtrohet pa kufizime edhe në mungesë të plotë balance, pra kur ai konsiderohet më së shumti si e drejtë edhe jo si përgjegjësi.

Njerëzit në pushtet kur krijojë varësi prej tij mbeten me dëshirë të plotë në një situatë për të cilën shpesh ankohen se mezi e durojnë. Por nëse depërtoni në ndjenjat e tyre të vërteta do të gjeni vetëm qurravitje për një të keqe pa të cilën nuk bëjnë dot. Fundja nuk është e lehtë të shkëputesh nga një angazhim nëse krijon varësi nga shpërblimet e tij.

Njerëzit në pushtet kur krijojë varësi prej tij, përfundojnë skllevër vullnetarë të ambicies të tyre.  Përpiqen të vishen bukur, të rimodelojnë fytyrat ose trupin e tyre, por sërish mbeten te shëmtuar sepse bëjnë zgjedhje të shëmtuara.

Përpiqen të diferencojnë veten nëpërmjet pozicionit, zyrës, elokuencës apo statusit, por brenda mbeten persona të vegjël, duke harruar se të pushtetshëm të bën mënyra sesi u qëndron parimeve, edhe mbi te gjitha sesi arrin të qeverisësh veten.

Pushteti nuk i bëri kurrë mbajtësit e tij të fuqishëm. Përkundrazi, ai zbuloi se sa të pafuqishëm, sa të dobët apo sa të frikësuar ishin në thelb.

Ky është mësimi më i vështirë për t’ju dhënë të rriturve sado inteligjentë apo mendje hapur të duken.

Ndaj francezi Olivier Tallec me humor, ndjeshmëri dhe ngrohtësi të jashtëzakonshme e ofron atë si një mësim të rëndësishëm që merret që në fëmijëri, kur për herë të parë prekim dinamikat e para të papërpunuara të pushtetit, të cilat përcaktojnë varësinë e dëshpëruar nga pushteti që shumë qenie njerëzore provojnë në moshë madhore.