Ballina Kosovë Çitaku: Vetëvendosje po e pengon konstituimin e kuvendit, presidentja duhet të marrë...

Çitaku: Vetëvendosje po e pengon konstituimin e kuvendit, presidentja duhet të marrë rol më aktiv

11
0

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po mban të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si një “pengmarrje klasike” të institucioneve.

“Të them të drejtën, kësaj pyetje mund t’i jap përgjigje vetëm Lëvizja Vetëvendosje, sepse ata po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo është një pengmarrje klasike,” u shpreh Çitaku, duke shtuar se PDK ka ofruar alternativë, edhe pse nuk ka asnjë detyrim për të votuar kandidatin e Vetëvendosjes pa shumicë parlamentare.

Ajo theksoi se PDK nuk do të votojë “nën diktat”, duke refuzuar çdo imponim politik pa marrëveshje paraprake. “Nuk mund të votohet një kryetar Kuvendi nën diktat pa marrëveshje politike. Kjo është plotësisht e paprecedent, është pengmarrje. Kjo është sikur unë të vij me ju te kutia e votimit dhe t’ju tregoj kë të votoni,” deklaroi ajo.

Çitaku bëri thirrje për reflektim nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, por njëkohësisht kërkoi edhe ndërhyrje më aktive nga presidentja Vjosa Osmani.

“Zgjidhja e vetme është që LVV të reflektojë. Mirëpo, në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje edhe presidentes që të marrë një rol më aktiv, sepse në kuadër të kompetencave të saj është edhe mbarëvajtja dhe funksionimi demokratik i institucioneve,” përfundoi ajo.