Fabian Muçollari, 27-vjeçari i dënuar më parë për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Fabio Hila më 14 shtator 2016, është arrestuar sërish nga Policia e Pogradecit për disa vepra penale të tjera.
Muçollari, një person me precedentë të rëndë kriminalë dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u vu në pranga pasi uniformat blu kishin marrë informacione se ai posedonte armë zjarri dhe shpërndante lëndë narkotike në qytet. Pas një ndjekjeje dhe operacioni të mirëorganizuar, policia kontrolloi fizikisht Muçollarin, automjetin e tij dhe banesën në lagjen nr. 1 të Pogradecit. Gjatë kontrollit, atij iu gjet në një çantë krahu një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, dy armë zjarri të tipit pistoletë, një silenciator, tre krehra, një shkop metalik, një pako me lëndë narkotike të dyshuar si kokainë, pesë celularë, dy karta banke, një pasaportë biometrike dhe një shumë parash në lekë, euro dhe dollarë australianë. Policia konfirmoi se ndaj tij rëndojnë dënime të mëparshme për vrasje dhe tentativë vrasjeje.