Një studim i ri ka zbuluar se mbi 20% e oqeaneve të botës, një sipërfaqe më e madhe se kontinenti i Azisë, ka humbur ndjeshëm ndriçimin gjatë dy dekadave të fundit. Ky fenomen, i njohur si “errësimi i oqeanit”, po prek zonën fotike, shtresa e sipërme e ndriçuar nga dielli, ku zhvillohen rreth 90% e formave të jetës detare dhe procese kyçe si fotosinteza.
Hulumtuesit nga Universiteti i Plymouth analizuan të dhënat satelitore të NASA-s nga viti 2003 deri në 2022, duke zbuluar se në afro 10% të oqeaneve, kjo zonë ndriçimi është tkurrur me të paktën 50 metra. Në disa rajone, humbja arrin deri në 100 metra.
Kjo do të thotë më pak dritë për organizmat detarë që varen prej saj për rritje, lëvizje, gjueti dhe riprodhim. Ndërsa këto organizma detyrohen të ngjiten më pranë sipërfaqes, rritet konkurrenca për ushqim dhe ekspozimi ndaj grabitqarëve.
Shkencëtarët paralajmërojnë se kjo mund të shkaktojë efekte zinxhir në të gjithë zinxhirin ushqimor detar, me pasoja të mëdha për ekosistemet dhe rolin që luajnë oqeanet në rregullimin e klimës globale.
Ata besojnë se këto ndryshime lidhen me zhvendosje në komunitetet e planktonit dhe theksojnë nevojën për hulumtime të mëtejshme për të kuptuar dhe adresuar pasojat.