Ballina Aktualitet Sezoni/ Kumbaro nga Durrësi: Dyfishimi i hapësirave publike, përgjegjësi më e madhe...

Sezoni/ Kumbaro nga Durrësi: Dyfishimi i hapësirave publike, përgjegjësi më e madhe për insititucionet

0
17

Vija bregdetare e Durrësit ka qenë ndalesa e radhës për ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në vijim të turit të inspektimeve në bregdet, ku prej 15 qershorit ka nisur operacioni “Plazhe të Pastra” përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet 8 bashki bregdetare në pastrimin e plazheve.

Kumbaro theksoi se me ndryshimin thelbësor të rregullores së plazheve, ku dyfishohen hapësirat publike, shtohen përgjegjësitë e institucioneve për mbarëvajtjen e sezonit.

E shoqëruar në këtë inspektim nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe drejtori i policisë së Durrësit, Kumbaro u shpreh se “plazhet publike nuk do t’i kemi në fillim apo në fund të Durrësit, por të ndërprera me qëllim që pushuesit të kenë mundësi t’i akesojnë në segmente të ndryshme, sepse është një vijë shumë e gjatë bregdetare”.

Nga ana tjetër, bashkëpunimi i Policë së Shtetit me Policinë Bashkiake dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit duhet të forcohet me qëllim që të mos lejohet zaptimi i plazheve, por edhe për sa i përket pastërtisë, sepse ka të bëjë me krimin mjedisor. Do të përdorim të gjitha masat, që nga sensibilizimi e edukimi, por edhe masat që kanë të bëjnë me tërheqjen e vëmendjes dhe gjobat. Përveç banorëve, probleme ka edhe me bizneset, restorantet që i hedhin mbeturinat në vende të paparashikuara, prandaj policia duhet të jetë e vëmendshëm ndja këtyre gjesteve”, nënvizoi Kumbaro.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, nga ana tjetër vuri në dukje shtimin e hapësirave.

“Kemi 266 parcela publike plazhesh, të fragmentarizuara nga zona e plazhit në Durrës deri te Përroi i Agait, të cilat pritet të shtohen më shumë pas 30 qershorit, kur përfundon edhe lidhja e kontratave me subjektet private dhe ato parcela për të cilat nuk është aplikuar, automatikisht kalojnë në hapësira publike. Të gjitha janë të pajisur me sinjalistikën e duhur në terren dhe janë të publikuara edhe në faqen zyrtare të bashkisë”, tha Sako.