Ballina Aktualitet Trafikimi i qenieve njerëzore, raporti i KiE për Shqipërinë: 450 raste të...

Trafikimi i qenieve njerëzore, raporti i KiE për Shqipërinë: 450 raste të dyshuara, 64 fëmijë

10
0

Fëmijët janë më shumë të ekspozuar për të qenë viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri. Sipas raportit të fundit të Grupit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës për Veprimet Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, janë rreth 450 rastet kur të të miturit në Shqipëri dyshohet se kanë rënë pre e trafikimit në periudhën 2020-2024.

Sipas GRETA, viktimat më të prekura janë vajzat, për shfrytëzim seksual. Djemtë shpesh trafikohen për qëllime si lypja e detyruar apo kryerja e veprave kriminale.

Fëmijët e pashoqëruar dhe ata nga komunitetet e margjinalizuara janë më të rrezikuarit, por shpesh nuk marrin kujdesin e nevojshëm. GRETA i rekomandon qeverisë shqiptare që këtyre fëmijëve t’u caktohen kujdestarë ligjorë dhe t’u ofrohet akomodim i sigurt. Shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve vuajnë nga mungesa e personelit dhe fondeve, duke ndikuar në aftësinë për të identifikuar dhe ndihmuar viktimat.

Sipas raportit janë identifikuar zyrtarisht 28 viktima trafikimi në katër vite, ndërkohë që mbi 700 janë konsideruar si raste të dyshuara. Raporti thotë se numri i rasteve të konfirmuara ka shënuar ulje, në raport me periudhën paraardhëse raportuese, 2016-2020.

Raporti thekson gjithashtu se viktimat shpesh nuk kanë qasje në ndihmë ligjore dhe nuk përfitojnë kompensim për dëmet e pësuara. Që nga viti 2008, vetëm dy viktima kanë fituar çështje në gjykatë, dhe kanë marrë kompensim.

Referuar raportit janë 184 çështje për trafikim të qenieve njerëzore që janë në fazën e hetimit nga policia apo edhe nga SPAK, prej të cilave 64, lidhen për trafikimin e fëmijëve. 15 persona janë dënuar për trafikim në këto 4 vite të fundit.

Një tjetër problem që prek raporti i zyrës së Këshillit të Evropës është trajtimi i viktimave të trafikimit si persona që kanë shkelur ligjin. Për shembull, shumë gra të trafikuara për prostitucion ndëshkohen në vend që të trajtohen si viktima. Mungojnë politika për ndihmën e grave që duan të largohen nga prostitucioni, si dhe masa për të ulur kërkesën për “shërbime” nga viktimat e trafikimit.

Në fund të vitit 2023, në vend ndodheshin mbi 21,000 të huaj me qëndrim të rregullt, gjysma e tyre për arsye punësimi. Grupet më të mëdha janë italianët, turqit dhe kosovarët, por po shtohet gjithashtu numri i punëtorëve nga Filipinet, Bangladeshi, India dhe Nepali, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.

GRETA kërkon që të gjithë punëtorët, përfshirë migrantët, të gëzojnë të njëjtat të drejta si punëtorët shqiptarë, të rriten inspektimet në sektorët me rrezik shfrytëzimi dhe të trajnohen më mirë inspektorët e punës.

Në përfundim raporti vlerëson se autoritetet shqiptare kanë miratuar ligje të reja dhe mekanizma bashkëpunimi për të luftuar trafikimin. Po ashtu janë miratuar rregullisht plane kombëtare veprimi për trafikimin, me fokus te grupet më të cenueshme si fëmijët, komunitetet rome dhe egjiptiane, migrantët dhe azilkërkuesit. Megjithatë, mungon ende një ligj gjithëpërfshirës për mbrojtjen e viktimave dhe një institucion i pavarur që të raportojë mbi progresin.