Ballina Kulturë Shfaqja/ Komedia me humor të çmendur “Çfarë pa kryeshërbëtorja”

Shfaqja/ Komedia me humor të çmendur “Çfarë pa kryeshërbëtorja”

15
0

Komedia “Çfarë pa kryeshërbëtorja” me regji nga Kiço Londo pas një jave me sallën plot me publik në Elbasan vjen në Teatrin Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë. Një komedi plot ritëm dhe interpretim brilant, vepër e autorit Joe Orton që vjen në skenën teatrore këtë sezon artistik me një kastë aktorësh, që janë vlerësuar nga publiku. Komedia me humor verbues, ku në rol vjen edhe aktorja e njohur Egla Ceno në datat 17,18, 19 dhe 20 qershor për publikun në Teatrin Kombëtar. Vepra edhe pse e shkruar në vitet ’60-të të shekullit të kaluar tingëllon shumë bashkëkohore dhe për këtë siç ka pohuar edhe më parë regjisori Kiço Londo është punuar shumë, shkruan panorama.

Në skenë në rolet e komedisë interpretojnë aktorët: Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Mario Elezi, Ëngjëll Hoxha dhe Livjon Aliaj. Vepra është përkthyer nga Artur Lena dhe është produksion i teatrit “Skampa” në Elbasan, e cila u soll në skenë nga regjisori i mirënjohur Kiço Londo emrin e të cilët e mbajnë dhe një sërë veprash të tjera teatrore që janë mirëpritur nga publiku brenda dhe jashtë vendit. Drama dhe komedi, vepra teatrore shqiptarë dhe të huaja në programin artistik të Teatrit Kombëtar përgjatë muajit qershor, ku nuk mungojnë dhe shfaqje që janë nga skena e pavarur kulturore në vend apo dhe nga teatrot në rrethe.

Disa ditë më parë Teatri Kombëtar bëri me dije programin përgjatë këtij muaji në skenë, ku mes shfaqjeve të ndryshme teatrore për publikun pjesë e kalendarit artistik ishte dhe komedia “ Çfarë pa kryeshërbëtorja” me regji nga Kiço Londo. Komedia “Çfarë pa kryeshërbëtorja” është produksion i teatrit “Skampa” të Elbasanit, por për Kiço London në aktivitetin e tij si regjisor është premiera e 50-të.