Ballina Kosovë ​Haradinaj: Kurti po e mban peng Kosovën, jemi duke paguar çmimin për...

​Haradinaj: Kurti po e mban peng Kosovën, jemi duke paguar çmimin për një mashtrues

19
0

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar si shkaktar të krizës aktuale politike dhe institucionale në vend, siç tha ai vendi po e paguan çmimin e një “mashtruesi”.

Sipas tij, Kurti po e mban peng vendin, duke bllokuar proceset politike dhe duke mos reflektuar pas zgjedhjeve.

Haradinaj: Për fat të keq jemi duke e paguar çmimin që i kemi besuar një mashtruesi

“Kjo pyetje duhet t’i behet veç një njeriut, mashtruesit, Albin Kurti. Për fat të keq jemi duke e paguar çmimin që i kemi besuar një mashtruesi. Dhe për mua nuk është befasi, e dini vlerësimin tim për të, por edhe kjo situatë duhet të marrë fund dikur. Pra, mashtruesi nuk mundet pa kufi me u tall me një vend. Kjo pyetje duhet t’i behet mashtruesit, ka marrë shumicën e votave, po e mban peng Kosovën, gjithë ne tjerët jemi peng i tij, nuk bën të shkohet pa kufi. Këto takimet tjera, përrallat, pi kafe ky me atë, janë veç hajgare. Një njeri është duke e mbajt peng Kosovën, po vazhdon t’i bëjë të këqija, por le të mbushen mend njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Haradinaj.

Tridhjetetre vazhdimet e deritanishme kanë dështuar për formimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit.

Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk po i japin votën kandidates së propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.

Albulena Haxhiu në gjashtë tentime ka dështuar të kalojë provimin dhe në mungesë të kësaj Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për votim të fshehtë, për të cilën gjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.