Pak pas mesnate, në fshatin Halilaj të Fushë Krujës janë regjistruar të shtëna me armë.
Persona të paidentifikuar, kanë qëlluar në fasadën e jashtme të një lokali dhe hotelit që ndodhet mbi të, në pronësi të Mondi Vogës.
Fatmirësisht, në momentin e sulmit nuk ka pasur persona në hotel. Shenjat e plumbave janë të dukshme në fasadë, ndërsa disa prej tyre kanë depërtuar deri në banak.
“Rreth orës 01:10, shtetasi M. V. ka njoftuar Sallën Operative të DVP Tiranë, se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të tij, në fshatin Krastë, Fushë Krujë. Si pasojë ka patur vetëm dëme materiale. Punohet për identifikimin e autorit/ëve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit”, njofton Policia.
Voga njihet për disa precedentë të mëparshëm penalë.
Ai u arrestua në vitin 2020 nga Policia Rrugore në Tiranë pasi lëvizte me makinë të blinduar dhe me fenelina policie.
Ai u padit edhe nga avokati Ilia Ilia se ishte një nga personat që e dhunuan në Durrës, ngjarje e ndodhur në Durrës në vitin 2018,
Ndër të tjera Voga, më herët ka qenë shoferi i ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Ndaj këtij të fundit është bërë atentat në vitin 2019, ngjarje ku mbeti i vdekur shoferi i Ndojës në ato kohë, Andi Maloku, ndërsa ish-prokurori dhe miku i tij Aleksandër Laho mbetën të plagosur.
Ndërsa në zgjedhjet e 11 majit, Ndoja kandidoi për Partinë Demokratike në Qarkun e Durrësit, duke fituar mandatin në Kuvendin e ardhshëm.