Rritja e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe kërkesa për fuqi punëtore të shtuar ka bërë që vendi ynë të jetë tërheqës për punonjësit e huaj.
Drejtorja e Shërbimeve të Tregut të Punës pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Gertiola Çepani, tregon edhe numrin e të huajve të punësuar në vendin tonë.
“Shqipëria shihet si një nga vendet me zhvillim ekonomik dhe interesi i huajve për të punuar në Shqipëri ka ardhur në rritje. Sipas të dhënave zyrtare, fundi i vitit 2024 është mbyllur me 13 mijë të huaj që punojnë në Shqipëri.“, tha Çepani.
Ndërkohë që sipërmarrjet që kërkojnë më shumë janë të ndryshme.
“Më shumë evidentohen sipërmarrjet që shtrijnë aktivitetin në sektorë si akomodimi dhe shërbimi ushqimor, i ndërtimit, i tregtisë me shumicë e pakicë, industria përpunuese e të tjera. Punonjësit që kërkohen më shumë janë banakier, ose kamarier, kuzhinier, apo ndihmëskuzhinier, apo profesione që lidhen me nivelin e ulët apo të mesëm të arsimit,“ deklaroi ajo.
Vendet nga vijnë të huajt e interesuar për t’u punësuar janë me shtrirje gjeografike të gjerë.
“Shtetasit e huaj që vijnë për të punuar në Shqipëri përfaqësojnë një shumëllojshmëri vendesh ku mund të theksojmë Turqinë, Italinë, Kosovën, Filipinet dhe Indinë.“, tha Çepani.
Ndërkohë që edhe dy shërbimet që ofrohen në platformën “e-Albania” për paketën e “Lejes Unike” kanë bërë që bizneset të kenë mundësi më të shpejta për të kryer dokumentacionet.