Ekonomia shqiptare u rrit me 3.39 për qind në tremujorin e parë të vitit, teksa kriza e bujqësisë dhe industrisë vazhdon të frenojë ecurinë ekonomike të vendit.
Instituti i Statistikave raportoi se rritja ekonomike në tre muajt e parë të vitit erdhi kryesisht nga dy sektorë të pazakontë. Ato ishin degët e administrimin publik, arsimit dhe shëndetësisë si dhe taksat neto, të cilat kontribuan respektivisht me 2.24 pikë përqindje dhe 1.24 pikë përqindje në zgjerimin e ekonomisë.
Ndërkohë sektori prodhues i ekonomisë vazhdon të thellojë krizën. INSTAT raportoi se prodhimi bujqësor u tkurr me 2.7 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, ndërsa prodhimi industrial u tkurr me 5.66 për qind.
Sektori i ndërtimit dhe ai i tregtisë, transportit dhe hoteleve u rritën respektivisht me 1.78 dhe 2.12 për qind, ndërsa aktivitetet e pasurive të patundshme u rritën me mbi 8 për qind. Megjithatë ky i fundit ka një peshë të vogël në ekonomi, ndaj kontributi i tij në rritjen e prodhimit kombëtar është relativisht i vogël.
Të dhënat ekonomike të tremujorit të parë tregojnë se pas disa vitesh zgjerim agresiv, kontributi i ndërtimit në ekonomi po fillon të shfryhet, çka po e bën më të vështirë rritjen ekonomikë të vendit në kushtet kur bujqësia dhe prodhimi industrial janë në krizë të pandalshme. Ndaj qeveria ka filluar ta gjejë rritjen e ekonomisë tek sektorët e pazakontë si taksat dhe arsim-shëndetësia.
Për këtë vit, qeveria prej një rritje të ekonomisë prej rreth 3.9 për qind, por arritja e kësaj shifre do të varet kryesisht nga ecuria e sektorit të turizmit, veçanërisht në tremujorin e dytë dhe të tretë.
Mirëpo të dhënat zyrtare tregojnë se të paktën numri i turistëve nga jashtë duket në stanjacion krahasuar me një vit më parë, teksa në 5 muajt e parë të vitit u rrit me vetëm 3.9 për qind.