Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Turqi dhe jo vetëm, pasi një vajzë 18-vjeçare, Oya Budak, u vra me armë zjarri nga i fejuari i saj në Stamboll. Viktima ishte mbi 5 muajshe shtatzënë dhe sipas raportimeve, shtatzënia kishte ardhur si pasojë e një abuzimi seksual.
Autori i dyshuar, Samet Y., 19 vjeç, fillimisht kishte pranuar të fejoheshin, por pasi u informua për shtatzëninë, thuhet se anuloi fejesën dhe nisi të shmangte kontaktet me të ndjerën. Të enjten në mbrëmje, ai e telefonoi Oyan dhe i kërkoi të takoheshin “për të sqaruar gjërat”. Ajo pranoi dhe shkoi në takim me vëllain e saj 13-vjeçar.
Në rrethana që janë ende nën hetim, Sameti nxori armën dhe e qëlloi në gjoks dhe në vesh, duke e lënë të shtrirë në tokë. Autori u largua nga vendi i ngjarjes me makinën e të atit, ndërsa qytetarët që dëgjuan të shtënat njoftuan menjëherë policinë dhe ambulancën.
Oya Budak u transportua në spital dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje të menjëhershme kirurgjikale, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi të mbijetonte. As foshnja që mbante në bark nuk u shpëtuA.
Pas një kërkimi të shpejtë, policia e lokalizoi Sametin në shtëpinë e xhaxhait të tij dhe e arrestoi. Ai u shoqërua në paraburgim dhe më pas në prokurori për dhënie deklarate. Sipas raportimeve të Ekol TV, kur një gazetar e pyeti pse e kishte vrarë Oyan, ai u përgjigj shkurt:
“Nuk jam penduar. Largohu.”
Gjyshi i viktimës, Orhan Budak, deklaroi për mediat se mbesa e tij ishte abuzuar seksualisht nga një koleg dhe se familja nuk ishte në dijeni për shtatzëninë deri pas fejesës.
“Oya më tha se kishte rënë dakord të takoheshin për të biseduar, por nuk e menduam kurrë se do përfundonte kështu,” – u shpreh ai.
Ngjarja ka ngjallur zemërim dhe trishtim në mbarë vendin, me aktivistë për të drejtat e grave dhe organizata të shoqërisë civile që po kërkojnë drejtësi për Oyan dhe ndëshkim të ashpër për autorin.