Ballina Kuriozitete ‘Qendër estetike’ në mes të oqeanit! Balenat vrasëse masazhojnë njëra-tjetrën me alga

‘Qendër estetike’ në mes të oqeanit! Balenat vrasëse masazhojnë njëra-tjetrën me alga

10
0

Balenat orka në Paqësorin Verior janë parë duke masazhuar njëra-tjetrën nëpërmjet fërkimit të leshterikëve në trupat e tyre.

Përmes dronëve, kërkuesit filmuan kafshët duke zgjedhur dhe kafshuar algat, më pas duke i vendosur në shpinën e një balene tjetër.

Shkencëtarët besojnë se masazhet  mund të jenë në dobi të shëndetit apo higjienës, por edhe mund të  jenë një mënyrë për të krijuar lidhje sociale.

Këto vëzhgime të publikuara në Current Biology, duket se janë një shembull për përdorimin e mjeteve te balenat vrasëse, pra duke përdorur një leshterik për një qëllim të caktuar.

“Le ta quajmë masazh me alga”, tha profesori Darren Croft nga Universiteti i Ekseterit dhe Qendra për Studimin e Balenave në Uashington.

Gjatë 12 ditëve, duke studiuar një popullatë orkash në brigjet e Uashingtonit, ekipi regjistroi 30 raste me masazh algash.

“E shohim disa herë gjatë ditës”, tha Michael Weiss për BBC. “Kur fluturojmë një dron sipër tyre, shohim të paktën një çift balenash që e bën.”

Majmunët dhe primatë të tjerë bëjnë të njëjtën gjë duke pastruar gëzofin e njëri-tjetrit nga parazitët dhe kjo mund të ndodhë te këto balena.

Sipas Croft, prekja fizike te kafshët “është shumë e rëndësishme  për të ndërtuar dhe ruajtur marrëdhënie sociale. Këto balena vrasëse janë shumë sociale.”

Gjithashtu,  balenat me “lëkurë më të ashpër” ishin më të përfshira te masazhet. 

“Kjo na çon drejt idesë se po heqin diçka që iu kruhet dhe ka funksion në shëndetin e lëkurës”, tha Croft.

Nuk është ende e qartë nëse kjo lloj përkujdesjeje është tipike vetëm te këto balena apo është e përhapur te lloje të tjera.