Nga Endri Shabani
Gjergj Luca nuk është i vetmi që tallet me faktin që unë kam studiuar në Universitetin e Oxfordit.
Tallja e tij fsheh një pasiguri më të thellë. Fsheh frikën se diku, dikush ka arritur atje ku fëmija e tij mund të mos të shkojë dot pa meritë.
Kjo i dhemb. Jo vetëm Gjergjit, por gjithë atyre që janë mësuar të blejnë gjithçka: pushtetin, lavdinë, diplomat, dhe njerëzit. Sepse ata nuk durojnë dot idenë që ka disa gjëra që nuk vendosen në tavolinën e pushtetit.
Ngaqë kanë paranë, duan të blejnë edhe nderimin e shoqërisë.
Madje i konsiderojnë shqiptarët e zakonshëm si inferior, ngaqë për vete janë aq të varfër sa kanë vetëm paratë.
Por ka edhe një arsye tjetër. Ata që janë pasuruar si Gjergj Luca, e dinë shumë mirë se kush do të ishin nëse do të jetonin në një shoqëri ku do të kishte realisht garë…
Në Universitetin e Oxfordit konkurojnë si të barabartë djali i Skënderit dhe vajza e Gjergjit. Nëse e meriton, ata pranojnë djalin e Skënderit, madje i japin edhe bursë. Por edhe kur humbet, e di që me më shumë mund, do t’ia dalësh herën tjetër. Sepse ka garë.
Në Shqipëri, djali i Skënderit nuk ka asnjë shans të konkurrojë me vajzën e Gjergjit, sepse nuk ka garë. Vendet e punës në Shqipëri ndahen nëpër darka, jo në konkurse. Dhe nëse nuk ke sukses, ti e di që të duhet ‘një mik’ jo një doktoraturë.
E imagjinoni dot vajzën e Gjergjit të mos e pranonin në Universitetin e Tiranës? Jo. Epo djalin e Skënderit e refuzuan, edhe pas doktoraturës në Oxford.
Kjo është arsyeja pse unë dhe Gjergji jemi në dy anë të kundërta, sepse luftojmë për dy gjëra të kundërta.
Ai do ta mbajë me thonj këtë sistem të kalbur. Unë dua ta shkërmoq një minutë e më parë.
Ai ngre monopole, unë dua garë.
Ai do t’i blejë gjërat, unë dua që çdo kush të marrë atë që meriton.
Ai do një një sistem që punon vetëm për fëmijet e tij, unë përpiqem të ndërtoj një Shqipëri ku çdo fëmijë, pavarësisht mbiemrit të ketë mundësi për sukses në jetë. Dhe pse jo, një ditë ‘të bëhet i madh’?