Ballina Aktualitet Klosi kundër HEC-it/ Banorët e 7 fshatrave në protestë: Do ta mbrojmë...

Klosi kundër HEC-it/ Banorët e 7 fshatrave në protestë: Do ta mbrojmë ujin me çdo kusht

12
0

Banorët e shtatë fshatrave në Klos protestojnë kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve në përroin “Lusa”.

Ata paralajmërojnë rezistencë të pandalshme, duke thënë se uji është burimi i jetës dhe nuk do ta dorëzojnë.

Në krah të tyre janë edhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe ish-kryebashkiaku dhe deputeti i zgjedhur Agron Malaj që kërkon anulimin e projektit.

Në Bashkinë e Klosit, banorët e shtatë fshatrave të Njësisë Administrative Suç kanë dalë sërish në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e dy hidrocentraleve në përroin “Lusa”, që zbret nga mali i Balgjajt.

Të mbledhur në fshatin Suç, banorët kërkuan ndalimin e menjëhershëm të punimeve, duke e cilësuar projektin si një kërcënim direkt për jetesën, natyrën dhe të ardhmen e zonës.

Banorët thonë se përroi “Lusa” është burimi i vetëm i jetesës për fshatrat dhe futja e tij në tuba do të sjellë pasoja të parikuperueshme për bujqësinë, blegtorinë dhe mjedisin e zonës.

Pjesë e protestës ishte edhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Klosit, Gentian Gjinaj, i cili premtoi se beteja do të vijojë edhe në institucionet vendimmarrëse.

Mbështetje banorëve u dha edhe ish-kryebahskiaku,  deputeti i zgjedhur, Agron Malaj, i cili u shpreh se do të kërkojë pezullimin e menjëhershëm të projektit.

Protestuesit paralajmëruan se nuk do të ndalen me kaq, derisa të ndalet përfundimisht ndërtimi i hidrocentraleve dhe të mbrohet përroi “Lusa”, si pasuri jetike e zonës.