Të udhëhequr nga “uragani” Harry Kane, Bayern Munich “thyen” me “poker” golash Flamengon dhe “fluturon” në fazën çerekfinale të Botërorit për Klube aty ku do të përballet me PSG, një super sfidë që premton spektakël. “Bomberi” anglez shfaqi një formë fantastike në këtë takim duke realizuar një “dopietë” golash.
Ekipi i Kompany e nis sfidën me “marshin e pestë”, ku pas vetëm nëntë minutash lojë gjetën avantazhin falë një autogoli. Tre minuta më pas, Kane me një goditje perfekte nga distanca dyfishoi shifrat për Bayern. Flamengo u “zgjua” dhe në minutën e 33-të, Gerson me një predhë të vërtetë mposhti portierin Neuer duke ngushtuar shifrat në 2-1. Goli i ekipit brazilian vetëm sa “shkundi” Bayern pasi në minutën e 41-të, Goretzka me një goditje të fortë nga distanca tundi rrjetën duke dërguar shifrat në 3-1.
Ritmi i lojës nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, kjo falë Flamengos me brazilianët që fituan një 11-metërsh në minutën e 55-të. Jorginho u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke ngushtuar shifrat në 3-2. Për të mbyllur llogaritë me Flamengon mendoi sërish Harry Kane, me sulmuesin anglez që finalizoi me gol një aksion të bukur në minutën e 73-të.
Me një avantazh të dyfishtë në “xhep”, Bayern menaxhoi me kujdes pjesën e mbetur të këtij takimi duke i lëshuar një mesazh në distancë PSG, përballja ndërmjet tyre pritet të jetë “zjarr” në fazën çerekfinale.