Ballina Aktualitet Mektrin Motors merr tenderin 4 milionë euro të makinave të Policisë, “goditja...

Mektrin Motors merr tenderin 4 milionë euro të makinave të Policisë, “goditja e vitit” në të dy lotet

0
12

Tenderi me vlerë mbi 4.5 milionë euro pa TVSH, i shpallur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara për dhënien me qira të makinave të Policisë së Shtetit, ka ngjallur debat të fortë publik për mënyrën e zhvillimit të procedurës, përzgjedhjen e fituesve, si dhe për vetë logjikën e kontratës: pse qira dhe jo blerje?

Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Skyweb.al tenderi u nda në dy lote, për makina tip sedan dhe makina tip SUV, me fond limit total 450,695,808 lekë pa TVSH (rreth 4.56 milionë euro). Fitues u shpallën dy kompani, të cilat rezultojnë të lidhura me njëra-tjetrën.

Eurocar Rentals, për makinat sedan (vlerë kontrate: rreth 2 milionë euro nga një fond limit prej 2.25 milionë),
Mektrin Motors, për makinat SUV (vlerë kontrate: rreth 2 milionë euro nga një fond limit prej 2.3 milionë euro).

Në garë morën pjesë edhe kompani të tjera të rëndësishme si Albania Motor Company, Porsche Leasing dhe Tirana Auto, por të gjitha u skualifikuan me argumentin se nuk kishin përvojë të mëparshme specifike në dhënien me qira të automjeteve, ose nuk zotëronin servise të certifikuara për mirëmbajtje, siç kërkohej në kriteret e tenderit, raporton skyweb.al.

Albania Motor Company paraqiti fatura shitblerjeje për automjete të tipit Ford Kuga me vlerë mbi 155 milionë lekë, por Komisioni i Vlerësimit e konsideroi këtë të papërputhshme me objektin e kontratës.

Sipas interpretimit ligjor, shitblerja nuk përbën shërbim qiraje, pasi në një rast automjeti i kalon pronarit të ri, ndërsa në rastin e qirasë, pronësia mbetet te ofruesi dhe përfshin edhe detyrimin për mirëmbajtje.

Debati, më mirë qira apo blerje? 

Kostoja mesatare për një automjet për periudhë 4-vjeçare qiraje, sipas përllogaritjeve të tenderit, arrin rreth 34 mijë euro për njësi, një shifër që ka nxitur reagime të shumta mbi eficiencën e shpenzimit publik. A do të ishte më efektive blerja direkte e makinave, me garanci dhe mirëmbajtje të përfshirë, në vend të një kontrate që përfundon duke mos i lënë Policisë asnjë mjet në pronësi?

Kjo nuk është hera e parë që Mektrin Motors rezulton fituese në tenderë publikë për automjete. Dyshimet për ndarje të qëllimshme të loteve, pjesëmarrje të kompanive “të lidhura” në garë dhe saktësimi i kushteve që përjashtojnë konkurrentët e tjerë, e bëjnë këtë tender pjesë të një modeli më të gjerë të koncentrimit të kontratave publike në një rreth të ngushtë biznesesh.

Për më tepër, mungesa e transparencës në lidhje me shërbimet e mirëmbajtjes dhe afatet reale të zbatimit ngre pyetje të tjera për monitorimin e kontratës dhe garantimin e interesit të qytetarëve.

Në fund, 4.5 milionë euro të paguara nga buxheti i shtetit për të marrë makina me qira për Policinë për katër vite, pa një analizë të qartë kosto-përfitim, pa garanci për ndarjen e drejtë të tregut dhe me dyshime për lidhje të brendshme mes fituesve, e bëjnë këtë një nga tenderët më të debatueshëm të vitit në sektorin publik.