Ballina Aktualitet Eurostat: Mbi 1.1 milion vdekje nga sëmundje të parandalueshme! Sa janë shifrat...

Eurostat: Mbi 1.1 milion vdekje nga sëmundje të parandalueshme! Sa janë shifrat për Shqipërinë

9
0

Eurostat ka dalë me një raport lidhur me numrin e vdekjeve të vitit 2022, duke paraqitur se numri i vdekjeve që nga sëmundje që mund të parandaloheshin ishte i lartë.

Kështu, sipas Eurostat, në Bashkimin Evropian për vitin 2022, u shënuan 1.1 milion vdekje të tilla, të personave nën moshën 75 vjeç.

Nga kjo vlerë, 386 mijë e 710 ishin vdekje nga sëmundje që mund të ishin shmangur nga kujdesi shëndetësor. sakaq, pjesa tjetër, 725 mijë e 625 vdekje, ishin nga sëmundje që mund të parandaloheshin nga masat e duhura të qeverisë për shëndetin publik.

Shkaku më i zakonshëm i vdekjes nga sëmundjet dhe gjendjet e shërueshme ishte sëmundja ishemike e zemrës me 77 mijë e 704 vdekje, ndjekur nga kanceri kolorektal me 57 mijë e 476 dhe kanceri i gjirit tek gratë me 40 mijë e 970 vdekje.

Nga ana tjetër, COVID-19 shënoi 71 mijë e 919 vdekje, për grupimin e sëmundjeve që mund të parandaloheshin nga masat e duhura të qeverisë për shëndetin publik.

Letonia regjistroi shkallën më të lartë me 543.3 vdekje të parandalueshme për 100 mijë banorë, duke përfshirë 200.7 nga sëmundjet e shërueshme dhe 342.6 nga gjendjet dhe sëmundjet e parandalueshme. Rumania kishte 519.3 vdekje të parandalueshme për 100 mijë banorë, ndërsa Hungaria regjistroi 511.8 të tilla.

Shkallët më të ulëta të vdekjeve të parandalueshme u regjistruan në Suedi me 169.3 për 100 000 (59.2 të shërueshme dhe 110.2 të parandalueshme), Itali me 176.7 (63.5 të shërueshme dhe 113.3 të parandalueshme) dhe Luksemburg me 180.2 (60.4 të shërueshme dhe 119.8 të parandalueshme).

Në vitin 2022, në Shqipëri u shënuan 23 mijë e 998 vdekje. Krahasuar me vitin 2021, pati rënien prej 21.3% .

Referuar shkakut kryesor të vdekjeve, 97% e tyre gjithsej të regjistruara ishin natyrale.

Nga totali i sëmundjeve, 54.5% kishin si shkak kryesor sëmundjet nga “Aparati i qarkullimit të gjakut”.

Grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, përbënte grupin e dytë me peshën më të lartë të vdekjeve, në masën 20,3 %.

“Tumoret” përbënin grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 13,5 % të vdekjeve gjithsej.

Edhe për këtë vit, shkaqet e vdekjes ishin natyrale, sipas Institutit të Statistikave. Duke regjistruar numrin prej 22 mijë 102 vdekje, shihet një rënie prej rreth 7.9%, krahasuar me vitin 2022.

Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut përbënin 52,9 % të totalit të vdekjeve në 2024.

“Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” renditeshin në vendin e dytë të vdekjeve me 21,5%. Brenda këtij grupi, vdekjet nga pleqëria përbënin 70,7 %.

Grupi “Tumoret” renditej në vend të tretë. Në këtë grupim, përqindjen më të lartë e zinin tumoret malinj të aparatit tretës, me 34.6%.

Të dhënat e Eurostat dhe ato të INSTAT nxjerrin në pah një kontrast të qartë mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian sa i përket shkaqeve të vdekjeve.

Ndërsa në BE fokusi i raportimeve është mbi sëmundjet që mund të parandaloheshin ose trajtoheshin me politika efektive shëndetësore dhe kujdes të duhur mjekësor, në Shqipëri, mungesa e klasifikimit të tillë e vështirëson ndarjen mes vdekjeve të pashmangshme dhe atyre që mund të ishin evituar.

Në vendet e unionit evropian, sëmundjet ishemike të zemrës dhe format e ndryshme të kancerit përbëjnë pjesën më të madhe të vdekjeve të parandalueshme, ndërsa në Shqipëri mbizotërojnë sëmundjet kardiovaskulare dhe ato të papërcaktuara mirë, që shpesh nënkuptojnë mungesë diagnostikimi të saktë. Kjo nënvizon nevojën për forcim të rolit të shëndetit publik në identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve.