Presidenti Donald Trump ka zgjeruar linjën e tij me një parfum të ri, i cili është lançuar nën emrin e tij. Ky produkt i fundit, i cilësuar si një shprehje e “besimit, bukurisë dhe vendosmërisë së pandalshme”, është i disponueshëm për të dyja gjinitë, burra dhe gra dhe kushton 249 dollarë.
Aroma, e quajtur “Victory 45-47”, është një simbol i “Fitores, Forcës dhe Suksesit”. Ky parfum vjen me një statujë të artë “ikonike” që e përshkruan Trumpin dhe është promovuar si një mënyrë për të shprehur triumf dhe autoritet.
Në një postim në rrjetin e tij social, Trump e promovoi produktin me mesazhin: “Blej një shishe për vete dhe mos harro të blesh një edhe për të dashurit e tu. Shijoje, argëtohu dhe vazhdo të fitosh! Megjithatë, lançimi i këtij produkti nuk ka kaluar pa kritikë. Një qytetare komentoi në lidhje me miratimin në Senat të projektligjit “One Big Beautiful”, i cili do të reduktonte në mënyrë drastike financimet për Programin për Ushqyerjen (SNAP) dhe Medicaid, duke pasur mundësi të privonte miliona amerikanë nga kujdesi shëndetësor. Ajo shkroi: “16 milionë amerikanë janë gati të humbasin kujdesin shëndetësor, por shkoni dhe blini parfumin tim të shëmtuar…”
Komentet negative për këtë lançim vazhduan të vijnë në rrjetet sociale, ku disa individë e kritikonin veprimin e presidentit. Një përdorues shprehu pakënaqësi duke thënë: “Është aq e turpshme sa nuk ka fjalë për ta përshkruar.” Ndërsa një tjetër komentoi: “Ai e turpëron vendin dhe i bën mbështetësit e tij të duken si budallenj çdo ditë.”
Sipas një raporti të muajit qershor, Trump ka përfituar 2.5 milionë dollarë nga shitja e produkteve të markës Trump, përfshirë atlete dhe parfume, vitin e kaluar. Ky produkt i ri bashkohet me një seri artikujsh të tjerë që mbajnë emrin Trump, si Biblën “God Bless the USA” (69.99 dollarë) dhe çizmet “Trump Landslide” (299 dollarë).