Një ditë pas kërkesës dhe kritikave të kryeministrit Edi Rama, në bashkinë e Vlorës kanë dhënë dorëheqjen të gjithë drejtorët e këtij institucioni.
Mësohet se procesi i dorëheqjeve ka nisur qysh dje, pas urdhrit të prerë të kryeministrit Edi Rama dhe vazhdon ende edhe sot.
Kryeministri ishte paraditen e djeshme në Bashkinë e Vlorës, i shoqëruar nga ministri për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura.
U mësua se Rama udhëroi dje kryebashkiakun Ermal Dredha që të kërkojë dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të tij. Një urdhër që është zbatuar pa mëdyshje, por që duket i pazakontë, për një kryeministër, pavarësisht se kryebashkiaku i përket partisë së tij.
Pakënaqësitë e Ramës ndaj situatës në Vlorë, u shfaqën dukshëm dhe dy javë më parë. Në festën e Partisë Socialiste, ra në sy një komunikim i tensionuar mes tij dhe Dredhës.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, e cila zgjati afro 90 minuta, morën pjesë dhe deputetët në largim dhe ata të zgjedhur më 11 maj.
Dorëheqjet pritet të hapin rrugën për një ristrukturim të plotë të stafit drejtues në bashki.
Ky veprim shihet si një sinjal politik dhe administrativ për të forcuar standardet e qeverisjes vendore dhe për të vendosur përgjegjësi konkrete në hierarkinë drejtuese.