Pas verifikimit të materialeve zgjedhore në 126 kuti në qarkun Durrës, ka nisur tani të rinumërohen votat për partitë dhe kandidatët. Deri më tani janë hapur 5 nga 290 kuti brenda vendit, ku janë vënë re dhe gabimet e para. Do të hapen gjithashtu edhe 85 kuti që i përkasin diasporës së këtij qarku.
Partisë Socialiste i shtohen dy vota, ndërsa 1 i hiqet Nismës Shqipëria Bëhet.
Në këtë qark, beteja bëhet në PD, mes kandidatit Aulon Kalaja dhe Arjan Ndojës. Ish-prokurori fitoi me një diferencë prej 1047 votash. Kalaja kërkoi rinumërim votash me pretendimin se i janë trafikuar vota brenda partisë. Pritet të shihet nëse hapja e pjesshme e kutive të Durrësit do t’i japë vota në favor të tij, për t’i marrë mandatin Ndojës.
Kalaja protestoi edhe dje para Pallatit të Sportit “Farie Hoti”, ku po rinumëroheshin kutitë e fundit të Fierit, duke kërkuar korrektësi nga KAS dhe rinumërim të plotë të Durrësit. Kërkoi gjithashtu paralelisht edhe këqyrjen e pamjeve filmike me pretendimin se i janë transferuar votat brenda partisë.