Klea Sulejmani, 20 vjeë, u zgjodh “Miss Earth Albania 2025” vetëm pak ditë më parë.
E vetëdijshme për peshën që mbart një figurë publike, edhe pse në moshë të re, ajo e sheh kurorën jo si qëllim, por si përgjegjësi.
Kleja dëshiron të shihet përtej paraqitjes, përtej pasarelave, përtej imazhit të zakonshëm të një Miss-i.
“Unë jam një vajzë me ëndrra të mëdha, me një mendje kërkuese dhe me një zemër që digjet për drejtësi sociale, barazi dhe edukim cilësor”, thotë ajo për Albania Post.
Por nuk ka qenë e gjitha fushë me lule për bukuroshen 20-vjeçare.
Përtej shfaqjes së dukjes, Kleja mbart mbi kurriz një histori që shumëkush nuk e di.
Një histori përballje me bullizmin, me të qenit jo si masa dëshiron.
Një përballje që sot megjithatë nuk e mbart më si dhimbje, por si forcë.
“Ajo që dikur më thyente, sot më forcon. Më mësoi të ngrihem mbi fjalët, të mos e shoh veten përmes syve të të tjerëve. Të jem e dhembshur me të tjerët, aq sa e palëkundur me veten”, tregon ajo.