Ballina Ekonomia BSH: Nuk do të ketë rritje të çmimeve, turizmi motor për ekonominë

BSH: Nuk do të ketë rritje të çmimeve, turizmi motor për ekonominë

14
0

Drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë Erald Themeli, tha në një intervistë televizive se dy janë faktorët që po e mbajnë inflacionin nën 3% dhe që janë: inflacioni në eurozonë, që ka pasur një rënie të shpejtë, dhe niveli i fortë i kursit të këmbimit me euron.

“Ulja e normës së interesit tenton të pasqyrohet në norma më të ulta interesi për kredinë dhe për stimulimin e ekonomisë shqiptare. Pra është një stimul shtesë për rritjen e kreditimit, rritjen e konsumit dhe të investimeve. Është premisë për stabilitet më të lartë të kursit të këmbimit, në raport me një diferencë të madhe”, tha Themeli.

I pyetur për mundësitë e rritjes së çmimeve apo rrezikun për një valë inflacioni të lartë, Themeli tha se “ka fare pak të ngjarë që të përballemi me një valë çmimesh si ajo e 2022-shit”.

“Por në afatgjatë do të jetë një presion për rritje çmimesh nëse këto barriera do të rezistojnë në kohë”, pohoi Themeli.

“Intensifikimi i luftërave tregtare mund të jetë edhe premisë për rritjen e investimeve të huaja në sektorë të caktuar të ekonomisë siç është industria. Blloqet tregtare dhe ekonomike që perceptojnë vështirësi, mund ta rikthejnë vëmendjen në periferinë ku është Shqipëria që do të ishte mirë për ne”, tha ai.

Edhe pse dallgët e këtyre tensioneve mund të ndjehen edhe në Shqipëri, Banka Qendrore vlerëson se deri në vitin 2027 ekonomia do të rritet.

“Për vitet 2025-2026-2027 e më tutje ne presim një rritje ekonomike mes 3,5-4% në këtë hark kohor”, tha Themeli, ndërsa sipas tij pritet që turizmi të jetë motor kryesor edhe për këtë vit në rritjen ekonomike.

“Ne kemi një vëmendje të shtuar nga ekonomia e huaj drejt sektorit të turizmit në Shqipëri, i cili ka një ritëm rritjeje në ngadalësi. Kjo është natyrale, nuk mund të rritet gjithmonë me norma 30 apo 50%, por gjithsesi pritet të japë kontribut në rritjen ekonomike”, tha Themeli.

Ekonomia shqiptare u rrit me 3,4% në tremujorin e parë të vitit, me ndikimin kryesor nga rritja e pagave të administratës, sektori i pasurive të paluajtshme dhe ai i turizmit.