Udhëheqësi shpirtëror tibetian, Dalai Lama, tha se shpreson të jetojë deri në moshën 130 vjeç, disa ditë pasi paraqiti një plan trashëgimie duke thënë se planifikon të rimishërohet pas vdekjes së tij.
Dalai Lama, i cili feston 90-vjetorin e lindjes të dielën, i bëri këto komente gjatë një ceremonie të organizuar nga ithtarët e tij për të ofruar lutje për jetëgjatësinë e tij.
«Deri tani kam qenë në gjendje t’i shërbej mjaft mirë dharmës së Budës dhe qenieve të Tibetit dhe shpresoj të jetoj mbi 130 vjet», u tha Dalai Lama mijëra ndjekësve që ishin mbledhur të shtunën në qytetin verior të Dharamshalës në Indi.
Dharamshala ka qenë shtëpia e Dalai Lamës në mërgim që nga viti 1959, pasi ai u largua nga Tibeti pas një kryengritjeje të dështuar kundër sundimit kinez. Që atëherë, ai ka mbështetur aspiratat e Tibetit për autonomi më të madhe nën sundimin e Partisë Komuniste Kineze dhe ka mobilizuar tibetianët brenda dhe jashtë Kinës.
Të mërkurën, Dalai Lama tha se synon të rimishërohet, duke i hapur rrugën pas vdekjes së tij një pasardhësi që do të marrë një mantel që shtrihet 500 vjet më parë. Budistët tibetianë besojnë se Dalai Lama mund të zgjedhë trupin në të cilin do të rimishërohet.
Ky njoftim i dha fund viteve të tëra spekulimesh që filluan kur ai tregoi se mund të ishte personi i fundit që do të mbante këtë rol.
Kreu shpirtëror i budizmit tibetian, fitues i Çmimit Nobel për Paqen, tha gjithashtu se Dalai Lama i ardhshëm duhet të gjendet dhe të njihet sipas traditave të kaluara budiste, ndërsa theksoi se zyra e tij do të udhëheqë kërkimin.
Kina e konsideron Dalai Lamën si separatist dhe ka këmbëngulur që vetëm Pekini ka autoritetin për të miratuar pasardhësin e tij.
Ndërkohë, komuniteti tibetian në mërgim prej më shumë se 20,000 banorësh në Dharamshala po përgatitet të festojë ditëlindjen e Dalai Lamës të dielën. Ndjekësit e tij kanë vendosur postera dhe tabela gjigante në të gjithë qytetin, ndërsa dhjetëra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje, përfshirë udhëheqës budistë të sekteve të ndryshme dhe ndjekës nga e gjithë bota.
Barbara Weibel, një shtetase amerikane që ka ndjekur budizmin për më shumë se 30 vjet, tha se “duhej të ishte këtu për këtë”.
“Dua që kjo ceremoni për jetëgjatësi ta mbajë gjallë sa më gjatë të jetë e mundur”, tha ajo.