Me nismën e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, në Mitrovicë të Veriut nisi të hënën një peticion kundër ndërtimit të urave mbi lumin Ibër.
Gurëthemelet e tyre u vendosën më 1 korrik, me praninë e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Qeveria e Kosovës ndau rreth tre milionë euro për ndërtimin e dy urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për trafik – dhe punimet rreth tyre pritet të përfundojnë në vjeshtë.
Kurti tha se qëllim i këtij projekti është lidhja e Mitrovicës së Veriut, me popullsi shumicë serbe, me Mitrovicën e Jugut, ku shumica e popullsisë është shqiptare.
Ai, gjithashtu, tha se Qeveria është e përkushtuar për një “komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbim më të madh midis Veriut dhe Jugut”.







