Ballina Aktualitet ‘Nuk largohem pa më dëgjuar’/ E moshuara 82-vjeçare rrëfen përplasjen me Ramën...

‘Nuk largohem pa më dëgjuar’/ E moshuara 82-vjeçare rrëfen përplasjen me Ramën dhe truprojat e tij në Vlorë: Doja…

223
0

Një video e një të moshuare nga Vlora, e cila ngulmonte të fliste me kryeministrin Edi Rama gjatë një vizite të tij në qytet, është bërë virale në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për 82-vjeçaren Katina Thanasi, e cila, pavarësisht pengesave nga forcat e sigurisë, arriti të ndalojë kryeministrin dhe t’i shprehë shqetësimet e saj për një problem që, sipas saj, është anashkaluar prej më shumë se dy vitesh: pastrimi i një kanali pranë shtëpisë së saj.

Thanasi tregon se iu desh të përballej fizikisht me policët dhe truprojat e kryeministrit për të marrë vëmendjen e tij. “Nuk më linin të afrohesha, më shtynin, më thanë edhe që do më arrestonin. Por unë nuk kisha bërë asgjë të keqe,” – thotë ajo.

Kur më në fund arriti të flasë me Ramën, reagimi i tij fillestar ishte: “Çfarë ke që bërtet?”. Më pas, Katina i shpjegoi shqetësimin për gjendjen e një kanali pranë banesës së saj, i cili – sipas saj – mbushet me mbeturina dhe kafshë të ngordhura, duke u kthyer në rrezik për banorët përreth.

Ajo thekson se problemi i është parashtruar më herët edhe kryetarit të bashkisë, por pa asnjë rezultat konkret. “Kam dy vjet e gjysmë që kërkoj zgjidhje. Ai as që afrohet,” – tha ajo.

Pavarësisht bisedës me Ramën, Katina mbetet skeptike: “Për kokë të djalit tim, nuk besoj pa parë veprime. Këta të mbushin me fjalë, por në terren nuk lëvizin.”

Sipas saj, pas takimit me kryeministrin, janë shfaqur disa punonjës që kërkuan leje për të hyrë në pronën pranë kanalit për të nisur pastrimin, por ende nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim, duke u justifikuar se nuk mund të hyjnë pa leje të shkruar.

Katina, megjithatë, nuk ka ndërmend të dorëzohet: “Unë do jem sërish atje. Nëse nuk vijnë ta pastrojnë, do më gjejnë nesër në mëngjes përsëri në vend.”