Ballina Aktualitet Pas Vlorës, aksioni për lirimin e hapësirave publike nis edhe në Durrës

Pas Vlorës, aksioni për lirimin e hapësirave publike nis edhe në Durrës

22
0

Pas zbarkimit të kryeministrit Edi Rama në Vlorë dhe deklaratave të tij të forta për lirimin e hapësirave publike, një aksion i ngjashëm ka nisur edhe në qytetin e Durrësit.

Efektivë të Policisë Bashkiake janë parë pasditen e së hënës në bulevardin “Epidamn”, ku kanë ndërhyrë për të liruar hapësirat publike të zëna nga subjektet private që ushtrojnë aktivitet tregtar.

Gjatë aksionit, janë larguar një pjesë e tavolinave, karrigeve dhe çadrave që bizneset kishin vendosur mbi trotuare.

Ky operacion synon të rikthejë hapësirat publike në dispozicion të qytetarëve dhe turistëve, dhe duket se vjen si vazhdimësi e direktivave të dhëna nga kryeministri Rama pak ditë më parë në Vlorë.

Kujtojmë se gjatë vizitës atje, Rama kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të bashkisë, duke i konsideruar përgjegjës për situatën e krijuar në qytetin bregdetar.

Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga përfaqësuesit e Bashkisë së Durrësit, por burime zyrtare bëjnë me dije se aksioni do të vijojë edhe në zona të tjera të qytetit.