Ballina Politika “Vetë kryeministër, vetë kryepolic, vetë kryebashkiak”, Berisha akuzon Ramën: Ka marrë peng...

“Vetë kryeministër, vetë kryepolic, vetë kryebashkiak”, Berisha akuzon Ramën: Ka marrë peng pushtetin vendor, vepron..

0
16

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po shkel Kushtetutën dhe pavarësinë e pushtetit vendor, duke vendosur se kush rri e kush ikën nga detyra ne Bashkitë që drejtohen nga socialistët.

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha deklaroi se kryeministri sot ka të gjitha pushtetet në dorë, ndaj sillet në këtë mënyrë.

“Ramaduro është vetë kryeministër, vetë kryeprokuror, vetë kryepolic, vetë kryetar bashkie, ndaj ai sillet në këtë mënyrë. Nuk ka diskutim që marrja e kompetencave të qeverisë vendore nga qeveria qendrore është një akt i rëndë antikushtetues dhe është një shkelje e hapur e Kartës së Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, të firmosur nga Shqipëria”, tha Berisha.

Kryetari i PD përsëriti se opozita nuk i njeh zgjedhjet e nuk e njeh fitoren e PS, ndaj nuk do të ulet me qeverinë për të ribërë reformën territoriale.

“PD nuk njeh legjitimitetin e Edi Ramës si kryeministër dhe nuk mund të pranojë të ulet me të”, u shpreh Kryetari i PD.

E vetmja reforme në të cilën PD do të marrë pjesë në shtator është reforma zgjedhore.

“PD nuk mund të pranojë legjitimitet karrigesh mbi farsa elektorale”, deklaroi Berisha.

Sot Sali Berisha paraqiti para gazetarëve dhjetëra fatura të kompanisë postare DHL që i përkasin Greqisë ku mungonte firma e qytetarit që kishte marrë fletën e votimit.

“Siç e shihni, zarfet nuk u dorëzuan tek qytetarët, por në mënyrë kriminale u grumbulluan në një qendër, e cila i përdori ato për të plotësuar votat për PS-në”, tha ai.

Sipas Berishës, procesi i votës së diasporës është procesi më i deformuar në zgjedhjet e 11 majit.