Ballina Politika “A do të prishet “Muri i Berlinit” në Tiranë”? Ben Blushi: Një...

“A do të prishet “Muri i Berlinit” në Tiranë”? Ben Blushi: Një “gardh burokratik” ndan “Rrugën e Bogdanëve” dhe “Rrugën e Ambasadave”, qeveria të ndërhyjë

0
19

Publicisti Ben Blushi në një postim në rrjetin social facebook, ka denoncuar një rast ku shteti duhet të ndërhyjë, në kuadër të lirimit të hapësirave publike. Bëhet fjalë për murin që ndan “Rrugën e Bogdanëve nga “Rruga e Ambasadave”.

Blushi shkruan se një mur i çuditshëm ndan dy rrugë paralele në zemër të qytetit, njësoj siç ndante dikur Muri i Berlinit kapitalizmin nga komunizmi.

Sipas tij, dikur, këto dy rrugë komunikonin lirshëm. Kalimi nga njëra te tjetra ishte po aq i natyrshëm sa kalimi nga dhoma e bukës në dhomën e pritjes.

“Pas vendosjes së ambasadave të huaja në Rrugën Skënderbeu që më pas u pagëzua si “Rruga e Ambasadave” regjimi komunist vendosi të izolonte këtë zonë me mure të larta. Arsyeja? Shqiptarët nuk duhej të kishin asnjë kontakt me perëndimorët, të cilët konsideroheshin “armiq të socializmit”.

Kështu, dy rrugët që dikur bashkëjetonin, u ndanë për dekada me radhë nga një mur absurd dhe ideologjik”, shkruan Blushi.

Sipas tij, ekzistenca e këtij muri dhe pas rënies së murit të Berlinit dhe hapjes së Shqipërisë me botën vazhdon akoma dhe arsyeja është më shumë komike sesa tragjike.

“Murin e mban në këmbë Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Pas tij ndodhet një drejtori me një emër që tingëllon si pjesë makinash – DSHTD (Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Diplomatik).

Kjo drejtori ka ndërtuar një magazinë aty, brenda së cilës ndodhen disa zyra duralumini, mobilie të ndryshkura dhe objekte që dikur i shërbenin trupit diplomatik”, thotë në postimin e tij Ben Blushi.

Më tej ai thotë se, disa muaj më parë, banorët e “Rrugës së Bogdanëve”, në bashkëpunim me minibashkinë, i kërkuan zyrtarisht Ministrisë së Jashtme që të hapej një shteg për këmbësorë që të lidhnin sërish dy rrugët si dikur dhe ministria dha shpresë.

Por në vend të një shtegu për këmbësorë, DSHTD instaloi një portë hekuri… dhe i vuri një dryn.“Që nga ajo ditë, porta nuk është hapur kurrë.

Asnjë banor nuk e ka kaluar. Asnjë diplomat nuk e ka përdorur. Vetëm punonjësit e DSHTD-së e hapin në mëngjes për të kaluar më shkurt drejt punës”, vijon Blushi në postimin e tij.

Në fund ai kërkon që shteti shqiptar i cili ka nisur të shembë gardhe private të ndërtuara pa leje, duhet të shembë edhe gardhin burokratik që ndan ende dy rrugë të qytetit, në mënyrë absurde dhe pa sens.