Nga Agim Kasemi
Fitorja e 11 Majit ishte kulmi i një loje të gjatë që Edi Rama e ka ndërtuar me durim, manipulim dhe strategji të paepur. Një fitore që nuk erdhi vetëm nga mobilizimi i aparatit të shtetit dhe partisë, por edhe nga një opozitë e përçarë, e kapur, e ndoshta e përfshirë në një marrëveshje më të errët sesa duket. Tani që ai ka marrë atë që kërkonte, për herë të fundit, Rama ka nisur një fushatë pastrimi, ose më saktë, raprezalje brenda strukturave të Partisë Socialiste dhe në çdo nivel të pushtetit vendor e qendror.
Ky është një regjim që e di se është drejt fundit. Dhe si çdo pushtet që po shkon drejt muzgut të vet, Rama po i jep vetes luksin e një lirie absolute për të prerë, përjashtuar, ndëshkuar dhe përçmuar çdo zë që nuk i përkulet. Është qartësisht një strategji e diktuar, ndoshta nga qendra të tjera të interesit jashtë vendit, padronë të cilët nuk duan më një lider populist që nuk e kontrollojnë dot, por një administrator të përkohshëm të heshtur të një tranzicioni të ndyrë.
Mos të habitemi nëse kjo periudhë çon në një bashkëqeverisje të heshtur me segmentë të zgjedhur të opozitës, të cilët në pamje të parë do të duken si “rivale” të përbetuar, por që në prapaskenë do të ndajnë interesa, influenca dhe terren politik. Të gjitha këto, për të ruajtur qetësinë e një tranzicioni që po vlon poshtë sipërfaqes.
Ndërkohë, ai nuk ka më frikë nga armiqtë që krijon, sepse ka zgjedhur të largohet si një autokrat i vetëshpallur fitimtar, jo si një lider që lë pas një trashëgimi politike. I vetëdijshëm se ky është mandati i tij i fundit, Rama nuk është më në kërkim të pëlqimit apo të mbështetjes popullore, ai është në kërkim të mbijetesës së tij në historinë politike dhe ndoshta edhe ligjore të vendit. Dhe për këtë, nuk kursehet.
Nëse kjo është një strategji drejt një bashkëqeverisjeje të orkestruar, atëherë kemi hyrë në fazën e një simulimi të demokracisë, ku opozita dhe pushteti janë dy krahë të së njëjtës tavolinë të komanduar nga interesa të padukshme.
Çfarë do të ndodhë më tej? Varet nga dy faktorë:
● Nga vetë shoqëria shqiptare, nëse do të ketë kurajon për të reaguar përtej “like” dhe “statusesh”, dhe
● Nga vetë rivalët e Ramës, nëse do të vazhdojnë të jenë pjesë e një loje që nuk e kanë shkruar vetë.
Nëse jo, atëherë e ardhmja është veçse një teatër me aktorë të njohur, me një skenar të ri, por me të njëjtin fund të parashikueshëm: një vend i bllokuar, i zhgënjyer dhe i udhëhequr nga fantazma të së shkuarës.