Ballina Aktualitet Situata e zjarreve në vend, Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra aktive nga...

Situata e zjarreve në vend, Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra aktive nga 21 të identifikuara

14
0

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 21 vatra zjarri në disa bashki të vendit, prej të cilave 5 mbeten ende aktive. Zjarret janë përhapur kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis.

Bashkitë e Prekura

Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Vlorë, Rrogozhinë, Tiranë, Kamëz, Dimal, Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Librazhd, Belsh, Lezhë, Kurbin, Roskovec, Pogradec dhe Korçë.

Deri më tani, janë djegur rreth 91 hektarë sipërfaqe, si dhe 20 rrënjë ullinj.

Vatrat ende aktive

Qarku Dibër – “Livadhi i Peladhisë”, Bulqizë

Zjarri ka pasur intensitet të ulët, pa rrezik për përhapje në zonat pyjore. Deri më tani janë djegur rreth 19 hektarë. Në terren janë angazhuar 8 efektivë të zjarrfikëses, 6 të shërbimit pyjor, 4 forca bashkiake dhe 4 vullnetarë. Sot, situata po mbahet nën kontroll nga 4 forca të tjera operacionale.

Parku Kombëtar Lurë – “Liqeni i Luleve”, Dibër

Një nga vatrat më problematike, me shtrirje të madhe gjatësore, që përfshin sipërfaqe me pisha dhe livadhe. Janë përfshirë rreth 30 ha, ndërsa në terren po punojnë mbi 60 forca, përfshirë efektivë të zjarrfikëses, AdZM, forca bashkiake, vullnetarë dhe 30 trupa nga Forcat e Armatosura (FA).

Qarku Tiranë – Fshati Zambish, Rrogozhinë

Zjarri në një sipërfaqe me dushqe është përhapur në disa fshatra përreth: Hemenraj, Murroj, Çek, Memollaj dhe Berdajt. Janë përfshirë rreth 20 ha, ndërsa disa banesa janë rrezikuar. Në operacion janë angazhuar 17 efektivë zjarrfikës, 20 forca bashkiake, 10 vullnetarë dhe një helikopter i FA.

Qarku Elbasan – “Mal Plak”, Librazhd

Zjarri në një zonë pyjore vijon të mbahet nën kontroll nga 1 mjet zjarrfikës, 8 efektivë dhe 10 vullnetarë. Shkaku i rënies mbetet i panjohur.

Qarku Korçë – Fshati Udenisht, Pogradec

Zjarri është riaktivizuar në një zonë me pyll pishe dhe shkurre. Forcat vendore të MZSH dhe AdZM janë në terren për shuarjen e tij. Në total janë angazhuar 459 forca zjarrfikëse, ushtarake dhe vullnetare, 38 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë për mbështetje ajrore.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot nuk priten reshje atmosferike. Rreziku për zjarre mbetet i lartë në qarqet: Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë, ndërsa në qarqet e tjera rreziku është në nivel të moderuar, me disa zona të lokalizuara me rrezik të lartë, si Shkodër (jug), Kukës (jugperëndim), Korçë (veri)

Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarre në natyrë dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë përhapjen e flakëve. Në rast zjarri, njoftoni menjëherë shërbimet zjarrfikëse. Vetëm me bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e të gjithëve mund të mbrojmë mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve.