Ballina Bota Aktivisti pro palestinez padit Trump/ I kërkon shumë marramendëse dëmshpërblimi

Aktivisti pro palestinez padit Trump/ I kërkon shumë marramendëse dëmshpërblimi

13
0

Asgjë nuk do t’ia kthejë Mahmoud Khalil-it 104 ditët e kaluara në qendrën e ndalimit në Luiziana: “Trauma, ndarja nga bashkëshortja ime, lindja e djalit tim, të cilën nuk munda ta shihja”. Larg familjes së tij në Nju Jork dhe me frikën e dëbimit, Khalil kaloi muaj të tërë në ankth, ndërsa administrata Trump përpiqej ta dëbonte nga vendi për shkak të rolit të tij në protestat pro-Palestinë në Universitetin Columbia. Sot, ai kërkon që të njihet përgjegjësia, duke folur për “hakmarrje politike dhe abuzim me pushtetin”. Për këtë arsye, ai ka ngritur një padi kundër presidentit të Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar 20 milionë dollarë dëmshpërblim për arrestimin dhe ndalimin që i është bërë nga agjentët e emigracionit.

“Dhe nuk do të ndalem këtu,” ka deklaruar në rrjetet sociale. “Do të vazhdoj të ndjek drejtësinë ndaj kujtdo që ka kontribuar në ndalimin tim të paligjshëm ose ka përhapur gënjeshtra për të shkatërruar reputacionin tim, përfshirë edhe ata që janë të lidhur me Universitetin Columbia.” Studenti, me origjinë palestineze por me vizë qëndrimi të përhershëm në SHBA, ishte arrestuar më 8 mars në apartamentin e tij universitar. Mesazhet e tij për ndihmë drejtuar universitetit që e kishte pranuar nuk sollën asnjë rezultat. Bashkëshortja e tij, Noor Abdalla, shtetase amerikane, ishte tetë muajshe shtatzënë kur agjentë civilë hynë në banesën e tyre. Khalil ishte personi i parë i arrestuar në kuadër të shtypjes së protestuesve pro-Palestinë të premtuar nga presidenti Trump, dhe i fundit që u lirua. Tani që ka rifituar lirinë, avokatët e tij kanë paraqitur një kërkesë për dëmshpërblim prej 20 milionë dollarësh ndaj administratës Trump. Sipas padisë, Khalil është burgosur padrejtësisht, është përndjekur dhe është shpifur si antisemit, ndërsa qeveria përpiqej ta dëbonte për shkak të rolit të tij në protestat pro-Palestinë në universitete. Siç shpjegon Qendra për të Drejtat Kushtetuese në kallëzim, “administrata ka zbatuar një plan të paligjshëm dhe të llogaritur për ta arrestuar, ndaluar dhe dëbuar z. Khalil, me qëllim për ta trembur atë dhe familjen e tij”. Në padi thuhet gjithashtu se aktivisti ka përjetuar “vuajtje të mëdha emocionale, vështirësi ekonomike dhe dëme ndaj reputacionit të tij”.

Por Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat. “Deklaratat e Khalil-it janë absurde,” tha zëdhënësja Tricia McLaughlin në një reagim për Associated Press, duke e akuzuar Khalil-in se ka promovuar “sjellje dhe retorikë urrejtjeje” që, sipas DHS-së, kanë rrezikuar sigurinë e studentëve hebrenj. McLaughlin theksoi gjithashtu se veprimet e qeverisë ishin “plotësisht të ligjshme”.

Për muaj të tërë, Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, ka pohuar se kishte të drejtën të dëbonte Khalil-in, duke u mbështetur në një ligj të përdorur rrallë, që i jep autoritet të dëbojë persona që përbëjnë “rrezik serioz të mundshëm për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”. Por gjatë procesit gjyqësor, avokatët e tij arritën të dëshmojnë disa herë se Khalil nuk përbënte rrezik për askënd. Dhe në qershor, gjyqtarët shpallën jokushtetuese zbatimin e atij ligji në rastin e tij, duke çuar në lirimin e tij.

Çështja për lirimin e tij nuk është ende mbyllur, pasi ajo vijon në gjykatat e imigracionit pas ankimimit të paraqitur nga qeveria amerikane. Por Khalil nuk trembet. Përkundrazi, ai dëshiron t’i dërgojë një mesazh administratës Trump:

“Unë mbaj përgjegjës qeverinë e Shteteve të Bashkuara, jo vetëm për atë që më ka ndodhur mua, por për të gjithë ata që ajo përpiqet t’i heshtë përmes frikës, dëbimit ose burgimit.”