Prokuroria e Korçës ka marrë zyrtarisht nën hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës ish-drejtorin dhe ish-shefin e policisë së burgut të Drenovës.
Fatjon Fasho ish-drejtor burgu dhe Sokol Kaçoli, shef policie në këtë burg, po hetohen nga prokuroria për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Hetimi filloi pas takimit të modeles nga Kosova Ziza Pajaziti me të dënuarin me burg të përjetshëm Laert Haxhiu.
Burime zyrtare të Prokurorisë së Korçës bëjnë të ditur se është vetëm faza e parë e fillimit të hetimit.
Në vijim, pas sekuestrimit të protokollit të ndjekur nga Drejtoria e Burgjeve për rastin në fjalë si dhe sekuestrimi i rregullores së brendshme të burgjeve, do të këtë dhe një hetim më të thelluar për zbatimin e këtij protokolli nga ana e stafit të brendshëm të këtij institucioni.
Pas verifikimit të dokumentit të martesës se Ziza Pajazitit me të burgosurin Vladimir Kurti, dokument qe i është paraqitur drejtorisë së burgjeve, do të verifikohet edhe fakti që në vend të Kurtit, në takim me Pajazitin, ka shkuar Laert Haxhiu.
Gjatë hetimeve paraprake në rast se provohet se ka elemente të korrupsionit, për shkak të kompetencës dosja do të transferohet në Prokurorinë e Posaçme.
Pak ditë më parë Fatjon Fasho u shkarkua nga detyra ndërsa shefi i Policisë së burgut u pezullua nga detyra pasi Laert Haxhiut iu gjet në qeli një telefon celular.