Ballina Dossier Një histori e pazakontë shqiptare në Bursën e Londrës-1929

Një histori e pazakontë shqiptare në Bursën e Londrës-1929

18
0

Nga Kreshnik Kuçaj

Në fundin e viteve ‘20, kur Shqipëria ende po hidhte hapat e parë drejt një ekonomie moderne, një grup sipërmarrësish shkodranë tentuan një nga lëvizjet më ambicioze financiare në historinë e vendit: të listonin një kompani shqiptare në bursën më të famshme të botës-London Stock Exchange.

Gjithçka nisi me koncesionin për ngritjen e një fabrike birre në Shkodër, i dhënë më 1926 vëllezërve Tush dhe Mark Kakarriqi (në foto).

Me përgatitje në Mynih dhe lidhje të forta me tregun britanik, ata ndërtuan një projekt ambicioz: një fabrikë moderne që synonte të mbulonte tregun vendas dhe të eksportonte në Egjipt, Greqi, Palestinë e Afrikën e Veriut

Për ta realizuar këtë, ata krijuan kompaninë “Albanian National Brewery” me seli në Angli, drejtor të propozuar Sir Harry Eyres (ish-ambasadori britanik në Shqipëri), dhe një kapital fillestar prej 400 mijë paund.

Kompania parashikohej të kishte 800 mijë aksione dhe të listohej në bursë me ndihmën e katër brokerëve britanikë.

Por në shtator 1929 ndodhi katastrofa globale: shpërthimi i krizës së bursës dhe nisja e Depresionit të Madh.

Kapitali nuk u mblodh kurrë dhe projekti, megjithëse nisi me bujë e entuziazëm, mbeti i papërfunduar. E vetmja gjurmë e tij ishte godina e re në Shkodër.

Ndërkohë, në ato vite u ngrit vetëm Birra Korça, me sipërmarrës italianë dhe shqiptarë.