Në Sesionin e 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, delegacioni shqiptar paraqiti arritjet e rëndësishme në menaxhimin dhe mbrojtjen e katër pasurive kryesore të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore: Parku Kombëtar i Butrintit, Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës, si dhe Rajoni i Liqenit të Ohrit – një pasuri e përbashkët me Maqedoninë e Veriut.
Komiteti miratoi tri projekt-vendime që konfirmojnë progresin dhe angazhimin e Shqipërisë për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre pasurive. Butrinti u vlerësua për përmirësimet në menaxhim, investimet në infrastrukturë dhe projektet kërkimore e restauruese. Berati dhe Gjirokastra për ruajtjen e integritetit historik, ndërsa Rajoni i Liqenit të Ohrit për bashkëpunimin ndërkufitar dhe përparimin e shënuar në administrim.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit paraqitën qëndrim të përbashkët për Ohërin, duke theksuar rëndësinë e koordinimit institucional dhe përkushtimin për menaxhim të integruar.
Përmes një reagimi publik, ministri Blendi Gonxhja theksoi se vendimet e miratuara janë një konfirmim domethënës për punën e bërë deri më tani, por edhe një paralajmërim për sfidat që duhen përballuar me profesionalizëm dhe vizion. “Na pret ende shumë punë përpara,” – tha ai, duke theksuar nevojën për angazhim të të gjithë aktorëve, përfshirë autoritetet vendore, institucionet kërkimore dhe partnerët publikë e privatë të trashëgimisë kulturore.