Ballina Rajoni Dizidentët e Putinit hapin universitet në Budva të Malit të Zi

Dizidentët e Putinit hapin universitet në Budva të Malit të Zi

8
0

Fakulteti i Arteve dhe Shkencave të Lira (FLAS) në Budvë, i themeluar nga profesorë rusë në mërgim në Mal të Zi, do të fillojë veprimtarinë në shtator.

Themelimit të tij i parapriu ndalimi i këtij programi arsimor në Rusi.

Paralelisht me pushtimin e Ukrainës, presidenti rus, Vladimir Putin, ndaloi programet studimore të arteve dhe shkencave të lira, duke i shpallur ato jokushtetuese dhe në kundërshtim me interesat kombëtare.

Në mars të vitit 2022, sipas FLAS-it, Prokuroria e Moskës deklaroi se arsimi në fushën e arteve të lira është “i orientuar drejt shkatërrimit të vlerave tradicionale” dhe se bie ndesh me “strategjinë e sigurisë kombëtare të Federatës Ruse”.

Fakulteti do të regjistrojë 40 studentë në vit, të cilët do të studiojnë: shkenca politike, sociologji, sociolinguistikë, gazetari, histori arti dhe shkenca kompjuterike.

Si profesorët, ashtu edhe studentët do të jenë kryesisht rusë, ndërsa gjuha zyrtare e studimeve do të jetë anglishtja.

Përveç rreth 20 profesorëve që jetojnë në Mal të Zi, do të punësohen edhe profesorë të ftuar nga vende të tjera, si: Britania e Madhe, Gjermania dhe Izraeli.

Fakulteti e mori licencën në maj, pas një procedure që zgjati tre vjet.

Njëri nga themeluesit e fakultetit, Vladimir Shmelev, beson se një procedurë kaq e gjatë, është tipike për pothuajse të gjitha sistemet kombëtare të arsimit në botë.

“Është gjithmonë shumë e gjatë dhe e ndërlikuar për shkak të burokracisë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Mali i Zi është vendi i parë në rajon që ka përfshirë programet e arteve dhe shkencave të lira në listën e kualifikimeve kombëtare.

Ky është fakulteti i parë i tillë në Ballkanin Perëndimor.

Artet dhe shkencat e lira janë një përshtatje moderne e konceptit të universitetit klasik, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori i Shkencave Politike dhe Sociologjisë, Aleksandar Zarickij.

Në Mesjetë, kjo përfshinte një grup disiplinash të njohura si Triviumi – gramatikë, retorikë dhe logjikë – dhe Quadriviumi – aritmetikë, gjeometri, muzikë dhe astronomi.

Sot, ky term përdoret për një formë arsimi që vë theksin te zhvillimi i të menduarit kritik dhe eksplorimi i fushave të ndryshme të dijes.

Zarickij shpjegon se në FLAS, studentët zgjedhin drejtimin e tyre, një grup lëndësh kryesore, të cilat plotësohen me kurse nga fusha të tjera akademike.

Për shkak të qasjes individuale, nuk do të ketë studentë me të njëjtën listë kursesh që kanë ndjekur gjatë tre vjetëve, thotë Zarickij.

“Niveli i lartë i individualizimit është forca kryesore e modelit, sepse ju e përshtatni trajektoren tuaj arsimore sipas nevojave tuaja dhe asaj që dëshironi të bëni pas diplomimit”, thekson ai.

Kur koncepti i arteve dhe shkencave të lira u bë i padëshirueshëm në Rusi në vitin 2022, autoritetet – gjatë inspektimit të një dege të tij në Moskë – shprehën shqetësim të madh për fjalën “të lira”.

Në shikim të parë, e gjithë kjo tingëllon si shaka, thotë Shmelev, sepse shërbimet ruse, me të dëgjuar fjalën “të lira”, mendojnë se ajo lidhet me pikëpamje politike.

“Termi ‘arte të lira’ nuk ka të bëjë fare me termin ‘liberal’ në politikë. Është një term nga Mesjeta – ‘artes liberales’, që i referohet arsimit të gjerë ose arteve liberale”, shpjegon Shmelev, por shton se çështja është më e ndërlikuar se kaq.

“Modeli i arteve të lira zhvillon të menduarit kritik, vetarsimimin dhe zhvillimin personal, dhe kjo është në kundërshtim me qeverisjen autoritare zyrtare të Rusisë. Ndoshta, fillimisht, reaguan vetëm ndaj fjalës, por, në një kuptim më të thellë, panë diçka që ishte kundër tyre”, thotë Shmelev.

Për shkak të këtij qëndrimi të shtetit rus, Zarickij thotë se e kuptoi se nuk do të mund të punonte më, pasi sociologjia dhe shkencat politike, me të cilat merret, janë të censuruara dhe nën kontroll.

“Kur kontrollojnë planet e tua të punës, mund të të thonë: pse këtu kemi fjalën ‘gjini’? Kjo është në kundërshtim me vlerat tona tradicionale, duhet ta heqësh ose do të të ndalojmë të ligjërosh… Ose – më keq akoma – mund të të fusin në burg për ndonjë lloj propagande”, thotë ai.

Gjatë dy vjetëve të fundit – që kur u largua nga Rusia – Zarickij, përveç në Mal të Zi, qëndroi një vit edhe në Serbi.

Thotë se në vitin 2023, atmosfera politike në Beograd ishte shumë e ngjashme me atë në Moskë, para pushtimit të Ukrainës.

“Mbaj mend kur zbrita nga tramvaji në qendër dhe pashë tabelën ‘Serbët dhe rusët së bashku’”, thotë ai.

Shton se duke folur me njerëz, u bind se ka shumë mbështetës të Rusisë. Ai thotë se shpesh e pyesnin nëse e do Putinin.

“Mendoj se është një lloj romantizimi i Rusisë si një ‘komb vëllazëror’ dhe, zakonisht, vjen nga njerëz që nuk e dinë vërtet se çfarë po ndodh në Rusi sot”, beson Zarickij.

Për të, kjo është e pritshme, sepse, siç thotë, Rusia gjithmonë e ka drejtuar fuqinë e saj të butë drejt Ballkanit.

I pyetur nëse shpreson të kthehet së shpejti në vendin e tij, përgjigjet: jo.

“Gjithçka që dimë për regjimet autoritare, tregon se strukturat si ajo që Putin ka ndërtuar në Rusi, zakonisht janë shumë rezistente. Prandaj, kam vendosur që është më mirë të mos shpresoj për një ndryshim të shpejtë”, thotë Zarickij.

Profesorët në mërgim, sikurse ai, fakulteti në Budvë do t’i ndihmojë të zhvillojnë ekipe akademike dhe të bashkëpunojnë me kolegët në Evropë, thonë në FLAS.

Qëllimi i tyre, shtojnë ata, është të bëhen qendra e pjesës intelektuale të komunitetit rus, por edhe e bashkatdhetarëve në mërgim.

Në fillim të këtij viti, në Mal të Zi kishte rreth 23.000 qytetarë rusë me qëndrim të miratuar.

Megjithatë, vlerësohet se kjo shifër është dukshëm më e lartë, sepse ajo nuk i përfshin rusët, që derisa i marrin lejen e qëndrimit, qëndrojnë si turistë.