Nga Gjon Marku
Vepra “Lule” e Fabian Barcatës përfaqëson një rast të rrallë në letërsinë shqiptare, ku një autor i huaj arrin të depërtojë me ndjeshmëri estetike në përditshmërinë dhe thelbin kulturor të një shoqërie të panjohur për të – asaj shqiptare, konkretisht në zonën e Mirditës. Barcata, një misionar françeskan që jetoi për disa vite mes malësorëve të Shqipërisë në fillim të shekullit XX, nuk ishte thjesht vëzhgues, por edhe përjetues i thellë i realitetit lokal. Ditarët e tij, të shkruar në gjuhën gjermane, u përkthyen në shqip nga Karl Gurakuqi dhe u botuan në vitin 1930 me titullin “Lule” – një metaforë që ngërthen ndjeshmërinë, pastërtinë dhe përjetimin estetik të jetës shqiptare.
Ky burrë me shpirt të madh dhe formim të gjerë kulturor, jo vetëm që jetoi në Rubik për t’iu përkushtuar misionit të tij klerikal, por u lidh ngushtë me vendasit, hyri thellë në psikologjinë e tyre, i deshi dhe i vlerësoi cilësitë e tyre të papërsëritshme, pa harruar t’u njohë edhe të metat.
Si misionar katolik, ai me përkushtim të jashtëzakonshëm rindërtoi godinat gjysmë të rrënuara të kishës dhe kuvendit të Rubikut, ku shërbeu me devotshmëri si këshilltar shpirtëror, mësues dhe gjysmë mjek, pa hezituar t’u kërkonte eprorëve të tij të dërgonin ilaçe e ndihma të domosdoshme. Ai nuk la pas dore as ngritjen e një ekonomie të vogël bujqësore e blegtorale dhe kërkoi gjithashtu një prift që do ta linte trashëgimtar në këtë kishë të moçme, në brigjet e një prej luginave më të bukura të Europës, siç shkruan vetë në librin e tij.
Të gjitha këto përjetime dhe ndjesi ai arriti t’i përmbledhë dhe t’i botojë në Austri (në gjuhën gjermane) në vitin 1924, në romanin e titulluar “Lule”, me nëntitujt “Një histori e vërtetë prej kohës së kalueme shumë të afërt të Shqipërisë”, si dhe “Ligje dhe zakone të vjetra në malet shqiptare”. Me një ndjeshmëri të veçantë, me një gjuhë të zgjedhur dhe të pasur, ai e mban lexuesin të përqendruar nga rreshti i parë deri në fund të librit, si përmes ngjarjeve dhe personazheve që përshkruan – ku spikat historia tragjike e Lules – ashtu edhe përmes fisnikërisë që gjendet nën ashpërsinë e zakoneve dhe traditave etnokulturore.
Spikasin mikpritja dhe bujaria e këtyre njerëzve të varfër, të cilët, ndonëse jetojnë në kushte të tejskajshme varfërie, dominohen nga virtyte unike dhe fisnikëri e rrallë – një karakteristikë e qenësishme e genit shqiptar.
Atë Anastazi, i cili në rininë e vet kishte punuar si profesor në një fakultet të Romës, nga qëndrimi në Shqipëri ishte bërë më shqiptar se vetë shqiptarët. Ndërkohë, Atë Maurici, personazhi tek i cili mund të pasqyrohet vetë Barcata, në një nga diskutimet me ndihmësin e tij të ri, i cili nuk e njihte mirë vendin, thotë:
“Këtu, në Shqipëri, duhet të vijnë të gjithë edukatorët e popullit tuaj, duke filluar nga profesorët e universiteteve, që nuk shohin përtej hundës së vet… Këtu, po, në Shqipëri, të vijnë demagogët dhe ‘prurësit e lumturisë’ së popujve tuaj; të gjithë anarkistët e vendeve tuaja, qytetarët dhe katundarët, të gjithë elementët e pakënaqur të mëdhenj e të vegjël. Këtu, po, pranë këtij populli të thjeshtë dhe të paprishur – tek këta njerëz, që ata i quajnë gjysmë barbarë – duhet të vijnë dhe të mësojnë në shkolla…”
Estetika e Barcatës në këtë vepër nuk është e qëllimshme në kuptimin formal të artit, por lind si pasqyrim i një përjetimi të thellë njerëzor. Përmes syve të tij, natyra shqiptare, njerëzit, veshjet, ritualet, fjala dhe heshtja bëhen pjesë e një përshkrimi të ndjeshëm dhe të vëmendshëm. Për të, bukuria nuk qëndron në perfeksionin formal, por në autenticitetin e jetës së përditshme.
Përshkrimet e peizazheve janë të mbushura me një qetësi vizuale dhe shpirtërore. Ai shkruan për natyrën si për një prani hyjnore që flet përmes formave të saj, ndërsa personazhet janë figura të hijshme, të ndershme dhe me një estetikë të thellë morale. Këtu shfaqet qartë koncepti i sublimes sipas Kantit, ku bukuria kalon përtej shqisave dhe bëhet përvojë etike dhe ndjesore.
Barcata e përshkruan Rubikun kështu, më shumë se 130 vite më parë:
“Shkrepi i Rubikut është shumë i madh dhe duket sikur të ishte vendosur prej ndonjë vigani në një prej luginave më të bukura të botës. Kjo dorë vigane duket si ta kishte sheshuar më parë vendin dhe si t’i kishte larguar malet penguese njëri nga tjetri, duke përbërë kështu një luginë të vogël me një kurorë malesh përreth. Në mes të kësaj lugine ngrihet shkrepi kolosal në vetmi, me një pamje madhështore…”
Dialogu ndërkulturor si formë estetike
Vepra “Lule” nuk është vetëm një ditar apo përmbledhje ndjesish, por një platformë dialogu ndërkulturor. Barcata e sheh kulturën shqiptare me respekt, pa superioritet apo mendjemadhësi. Ai përpiqet të kuptojë dhe të ruajë dinjitetin e njerëzve me të cilët jeton. Kjo sjellje e tij pasqyron një estetikë të ndjeshmërisë kulturore, ku “tjetri” nuk është i ekzotizuar apo i çuditshëm, por një qenie me ndjenjë, bukuri dhe thelb njerëzor.
Kjo ndjeshmëri pasqyrohet në mënyrë të veçantë në kapitullin ku përshkruhen rregullat dhe atmosfera e festës së katundit, që zhvillohet në një livadh ngjitur me kuvendin dhe kishën e famshme mijëvjeçare të Rubikut. Banorët, të veshur për festë, jo si zakonisht, shfaqin cilësitë dhe traditat e tyre edhe në këto raste – nuk mungon shkrehja e armëve në ajër, garat e qitjes me pushkë, dashamirësia dhe harmonia, gëzimi, hareja dhe lojërat popullore. Vallja, ku burra dhe gra vallëzojnë katër nga katër përballë njëri-tjetrit, duke kënduar dhe improvizuar vargje në çast, është një ndër kulmet estetike të përshkrimit të festës.
Një nga përshkrimet më magjepsëse dhe poetike është ai i kërcimit të “Pëllumbeshës dhe Skifterit”, që duket se ka frymëzuar edhe më vonë vallen e famshme të ansamblit “Shteti”. Në roman shkruhet:
“…Lula ishte kërcimtarja më e mirë e fisit… Vajza u bë kuqe si gjaku në fytyrë, dhe pas shumë lutjesh, e bëri zemrën gur dhe doli në sheshin e kërcimit. Ishte një pamje e mahnitshme, një bukuri që të merrte sytë: një vajzë e re dhe e hajthme, e veshur krejt bardhë, me sa hir përhidhte dy rubat e bardha, me sa shkathtësi hidhte këmbët e vogla me hapa të matur, me sa lehtësi çohej e ulej si një pëllumb që fluturonte në ajër… kur u hodh në mes një djalosh – skifteri. Ai, në fillim, bënte sikur nuk e shihte, por pastaj e vërejti. Pëllumbesha qëndroi një çast pezull, trupi i dridhej nga frika, pastaj fluturoi… rrethet e saj u bënë më të ngushta, më të dobëta, lëvizjet më të pasigurta. Skifteri e ngushtonte nga të gjitha anët, derisa i ra në dorë. Kërcimtari dhe kërcimtarja i rrokën duart njëri-tjetrit dhe u puthën, duke vendosur faqet mbi faqe…”
Ky përshkrim është ndër më të realizuarit artistikisht në vepër – një skenë që shfaq thellësinë simbolike të marrëdhënies njerëzore, të flirtit, frikës, ndjekjes dhe bashkimit përmes një gjesti estetik. Kjo skenë mund të shihet si një metaforë për dialogun ndërkulturor, ku përplasja dhe harmonia ndërthuren në mënyrë organike.
Pjesë tjetër që pasqyron kulturën lokale si formë estetike është kërcimi me jatagan, një duel simbolik në kërcim, i cili ndoshta ka shërbyer si motiv për vallen e shpatave në ansamblin shtetëror. Gjithçka përshkruhet me ndjenjë, vëmendje dhe respekt të thellë për një kulturë që rrezaton dinjitet.
Një figurë tjetër e paharrueshme është Don Bibaj – “Prifti me kobure”, i cili paraqitet si një prift ndryshe nga stereotipi: i veshur si fshatar i thjeshtë, me dy kobure në brez, dikur kishte vrarë një oficer turk në pazarin e Lezhës. Atë Anastazi i thotë Atë Mauricit:
“Desha që ky prift gjysmë barbar dhe i shkatërruar të shihte tek unë se si duhet të jetë një prift i vërtetë, i zellshëm dhe me kulturë, në mënyrë që të turpërohej nga vetja.”
Por kur e takon personalisht Don Bibajn, zbulon një plak të ëmbël e të butë, që gjendet mes fëmijëve, pa kobure, pa libra e pa fletore, por që u mëson atyre vetëm të mira – përmes këngëve dhe lojërave. Ai nuk mban për vete as kalë, as bagëti; madje edhe tokat e kishës ua ka lëshuar për kullotë bagëtive të fshatit, që fëmijët të kenë një vend ku të luajnë dhe të mësojnë.
Ky përmbysje i pritshmërive është në vetvete një akt estetik: bukuria dhe vlera morale nuk gjenden në formën e jashtme, por në veprimin njerëzor, në ndjeshmërinë dhe lidhjen me komunitetin. Kjo është thelbi i estetikës ndërkulturore që mbart vepra “Lule” – një estetikë e thellë njerëzore, e rrënjosur në përvojë, respekt dhe bashkëjetesë.
“… Qysh prej asaj dite, Don Bibaj u bë mësuesi im, miku im, babai im – një baba i mirë që më qëndroi pranë në nevojat e mia…”
Roli i përkthimit dhe përkthyesit
Përkthimi i Karl Gurakuqit është një akt estetik në vetvete. Gurakuqi nuk përkthen thjesht fjalën, por përçon frymën dhe ndjesinë e autorit origjinal. Ai arrin të ruajë ngjyrimin emocional, tingullin dhe ritmin e gjuhës gjermane, duke e sjellë në shqip me një qartësi të rrallë dhe finesë gjuhësore që i jep veprës peshë të re për lexuesin shqiptar.
Në këtë mënyrë, përkthimi bëhet një akt i ndërmjetëm estetik, një urë ndjesore mes dy kulturave – asaj perëndimore dhe shqiptare. Pa përkthyesin, përvoja estetike e Barcatës do të kishte mbetur e mbyllur në gjuhën e vet. Falë përkthimit, ajo bëhet ndërkulturore, përbashkuese dhe e përjetueshme për një publik tjetër.
Vlera e ribotimit modern
Merita e jashtëzakonshme i takon Ndue Dedajt – studiuesit, shkrimtarit, publicistit dhe poetit – për përkushtimin e tij që pas viteve ’90 ka bërë të mundur ribotimin dhe ripërqendrimin e vëmendjes mbi këtë vepër të pazakontë. Falë këmbënguljes së tij, “Lule” u ribotua nga shtëpia botuese “Mirdita” në vitin 2001, duke sjellë për publikun shqiptar jo vetëm një vepër të harruar, por edhe një trashëgimi shpirtërore.
Përveç ribotimit të “Lule”-s, nën të njëjtin përkujdesje u botua edhe ditari i Fabian Barcatës, duke plotësuar tablonë e përvojës së tij në Shqipëri.
Në një kohë ku vlerat kulturore shpesh anashkalohen ose relativizohen, “Lule” rikthehet si një shembull estetik i lidhjes ndërmjet njeriut dhe natyrës, kulturës dhe shpirtit. Ajo na kujton se bukuria nuk lind vetëm në artin e qëllimshëm, por edhe në jetën e përditshme, kur ajo përjetohet me ndjeshmëri dhe respekt.
Përfundim
“Lule” e Fabian Barcatës është më shumë se një vepër letrare: është një përvojë estetike ndërkulturore, një dëshmi e thellë njerëzore dhe një reflektim i vërtetë për jetën shqiptare në fillimshekullin XX. Ajo na mëson se bukuria nuk ka nevojë të jetë artificiale për të qenë e vërtetë.
Barcata, me syrin e një të huaji që bëhet i brendshëm, arrin të zbulojë në kulturën shqiptare një përmasë të ndjeshmërisë që i përket të gjithëve. Përmes kësaj vepre, estetikja del nga galeritë e artit dhe zbret në rrugët, malet, kuvendet dhe fjalët e zakonshme – aty ku lulëzon jeta e thjeshtë, por e ndritur. Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, “Lule” na kujton se dialogu, përulësia dhe ndjeshmëria janë format më të larta të bukurisë.