Një letër mund të të rrokullisë jetën dhe kjo ndodhi me Koço Tashkon, protagonistin e komunizmit shqiptar të viteve të para, të diplomuarit në Harvard, mandej të joshurit nga idetë komuniste dhe pinjollit të një prej familjeve fisnike korçare të kohës, asaj të Tashkove. Bëhet fjalë për një letër të cilën Koço Tashko ia drejtoi Kominternit (Internacionales Komuniste) por që në Komintern nuk arriti kurrë. E destinuar për të njoftuar këtë organizatë që bashkonte dhe drejtonte gjithë partitë komuniste të botës dhe që e kishte qendrën në Moskë, ajo mbërriti aty ku nuk duhej. Në duart e Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit. Fatalitet.
Ankesat e tij dhe rryma reformatore e humane që aspironte Koço Tashko, ndonëse nëpërmjet ideologjisë së komunizmit, nuk i shkonte përshtat pjesës tjetër të partisë dhe sidomos jo Enver Hoxhës, siç u vërejt më pas. I shqetësuar nga mënyra se si e drejton partinë Miladin Popoviçi, i cili vepron jo si këshilltar por si kryetar i plotfuqishëm, Koço Tashko nëpërmjet kësaj letre, i kërkon ndihmë Kominternit. Vetëm një vit pasi është krijuar Partia Komuniste.
Nga ana tjetër Koço Tashko ishte i dërguari i vetë Kominternit në Shqipëri, qysh në vitin 1938, për të krijuar Partinë Komuniste dhe raportonte për Internacionalen Komuniste. Megjithatë Enver Hoxha nuk e zhduku këtë letër dhe ajo u gjet në arkivin e PPSH-së, ndërsa sot ruhet në Arkivën Qendrore të Shtetit: Fondi 14, Dosja 5. Komunistët shqiptarë nuk kanë ditur gjë për këtë letër, por duke qenë i burgosur në Burrel nga Enver Hoxha, Koço Tashko ua ka treguar disa prej bashkëvuajtësve të tij, peripecinë e letrës në fjalë.
Gjyqi për letrën
Pasi arritën t’ia kapnin Tashkos letrën, Miladini dhe Enveri i bënë atij një gjyq të vërtetë. E kërcënuan se do ta përjashtonin nga partia, se do ta pushkatonin, etj. Një letër vdekjeprurëse. Dhe kishte qenë pikërisht Miladin Popoviç që e kishte shmangur Koço Tashkon nga udhëheqja e partisë, pasi ai preferonte siç e dëshmon historia e mëpastajme Enver Hoxhën, për ta nxjerrë në krye. Pas kësaj letre, Koço Tashko u urdhërua dhe i detyruar e mbylli gojën. Këtej e tutje nuk do të ishte veçse në periferi dhe denigrimi nuk vonoi.
Megjithatë duket e çuditshme se si kjo letër, nuk u asgjësua nga Enver Hoxha?! Ajo u la kinse në harresë dhe komunistët nuk ishin të informuar për përmbajtjen e saj. Që nuk mbërriti në Komintern, këtë e vërteton edhe historiania Nina Smirnova, e cila në artikullin e botuar në revistën ruse “Vaprosi Istoru”, nr 2, viti 199….shkruan se; kjo letër nuk ekziston në dokumentet e arkivit të Kominternit. Sigurisht letra nuk do të përmendej as-gjëkundi në historikun e Partisë Komuniste apo, në historinë e Luftës dhe të periudhës së diktaturës, që u shkrua e u manipulua siç dihet tashmë.
Faqja e panjohur e PKSH-së
Një nga dokumentet e paktë që ka mbetur si për të dëshmuar e zezë mbi të bardhë, historinë ndryshe, pra anën tjetër të historisë së fillimeve të PKSH-së. Kjo letër, por jo vetëm kjo, edhe plot dokumente të tjera, bëjnë të qartë se nuk ka qenë Enver Hoxha krijuesi i PKSH-së, se përpjekjet kryesore për bashkimin e grupeve dhe krijimin e Partisë Komuniste, i ka bërë Koço Tashko. Dhe rezulton se nuk është e vërtetë as që organizatori kryesor i Konferencës së Pezës, ka qenë Enver Hoxha: nismëtar ka qenë Koço Tashko, ndërsa organizatori ka qenë Ymer Dishnica, Nako Spiru, Mustafa Gjinishi. Nga ana tjetër, sipas dokumenteve Enver Hoxha e ka shprehur vetë në plenumin e Beratit, se ai vajti në Pezë një ditë para hapjes së Konferencës dhe e gjeti gati referatin që mbajti aty.
Nuhatja e problemeve
Është shumë herët për PKSH-në dhe megjithatë problemet janë aty. Koço Tashkos nuk i kanë shpëtuar dhe nuk i ka munguar as kurajoja, për t’ia raportuar ato Internacionales Komuniste. Në këtë letër, ai kritikon ashpër Komitetin Qendror provizor dhe Miladinin, sidomos për braktisjen e çështjes së Kosovës, por edhe për qëndrimin ndaj nacionalistëve e ushtrisë shqiptare, për sektarizmin, për drejtimin jodemokratik…! Dhe më pas rezultoi që pikërisht këto, ishin baza kryesore e gabimeve të Enver Hoxhës, në bashkëpunim me Miladin Popoviçin.
Fati tragjik
Dhe nuk do të vononte ndëshkimi për Koço Tashkon. Enver Hoxha nuk e kishte harruar atë letër. Më 1960-ën, Koço Tashko u internua familjarisht, kurse më 1969-ën, u mbyll në burgun e Burrelit dhe në burgje vuajti 10 vjet. Në vitin 1979, tashmë shumë i moshuar dhe i sëmurë, u internua sërish dhe vdiq në vitin 1984, ndërsa varri i tij gjendet akoma në Mamurras. Shokëve të tij të burgut, disa prej të cilëve janë dëshmitarë të gjallë të këtyre fjalëve, ai u ka thënë: “I vetmi faj që kam bërë ndaj popullit tim, është që e mora Enver Hoxhën në mbledhjen e Grupeve Komuniste, për krijimin e partisë dhe pastaj e propozova të zgjidhet në Komitetin Qendror”.
Protagonisti, cili ishte Koço Tashko?
Ai vdiq në internim, më 30 prill 1984. Vëllai i këngëtares së famshme Tefta Tashko dhe i patriotit të njohur Thanas Tashko, ai lindi në Fajun të Egjiptit, ku ishte shpërngulur për të jetuar familja e tij, në 14 korrik të 1899. Babai i tij, Thanas Tashko, ishte një nga veprimtarët më të shquar të lëvizjes kombëtare. U rrit në këtë shtëpi, ku në dhomën e flamurit gjykoheshin problemet e Rilindjes Kombëtare. Shkon në SHBA-ës dhe merr pjesë aktive në lëvizjen patriotike të emigracionit shqiptar, në organizatën “Vatra”, gazetën “Dielli”. Laureohet në Universitetin e Harvardit për ekonomi politike.
Emërohet konsull i Shqipërisë në SHBA-ës dhe pas rrëzimit të qeverisë “Noli”, merr pjesë aktive në lëvizjen demokratike në migracion. Pastaj i tërhequr nga idetë komuniste shkon në Moskë, ku aktivizohet nga Kominterni dhe më 1938, dërgohet prej këtij në Shqipëri, për të themeluar Partinë Komuniste shqiptare. Botohet, pas 62 vjetësh letra që Koço Tashko shkroi për t’ia dërguar Kominternit, në vjeshtë të vitit 1942.
Megjithëse letra nuk arriti në destinacion, ajo përcaktoi fatin e shkruesit, i cili më vonë u burgos për dhjetë vjet e, u internua. Në pjesën e parë të këtij dokumenti, Koço Tashko flet për luftën e egër dhe personale në gjirin e Partisë Komuniste në fillimet e saj dhe shqetësimin për pozicionin e padrejtë, kundrejt Kosovës
Letra e Koço Tashkos dërguar Kominternit
“Me formimin e partisë, duke shkrirë të tre grupet kryesore, lëvizja komuniste në Shqipëri mori një hov të madh jo vetëm për shkak të gjendjes së re të krijuar prej hyrjes së Gjermanisë hitleriane në luftë kundër Bashkimit Sovjetik, jo vetëm prej diskreditimit që pësoi fashizmi italian pas luftës me Greqinë dhe me pazotësinë administrative të tij.
Kjo, jo vetëm nga vështirësimi i përgjithshëm i jetesës dhe i antagonizmave në klasat sunduese, por edhe nga mënjanimi i luftës së grupeve, nga mënjanimi i teorive të kuadrove që ishin anti-Lenin-Stalin dhe kundërshtonin lëvizjen e masave, nga bashkimi i forcave komuniste dhe nga zotësia dhe eksperienca organizative e të dy shokëve (Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha) që kishim ftuar përmes Partisë Jugosllave që të na ndihmojnë për shkrirjen e forcave komuniste.
Që të lehtësohej procesi i formimit të Partisë, unë kisha propozuar në Pejë (shtator 1941), pranë Komitetit Qarkor për Kosovë e Metohi të Partisë Komuniste Jugosllave (kur kisha vajtur atje për të kërkuar ndërmjetësimin e Partisë Jugosllave për likuidimin e grupeve në Shqipëri), përjashtimin tim nga Komiteti Qendror që do të krijohej në Shqipëri, që ashtu të lehtësohej përjashtimi i krerëve të grupeve të tjera, të cilët kishin qenë krijuesit e teorive anti-Lenin-Stalin, teori këto kundër lëvizjes së masave.
Propozimi im u përsërit dhe u pranua në Konferencën e Parë (Mbledhja e Grupeve Komuniste për themelimin e PKSH-së në nëntor 1941), e cila formoi Partinë. Pra për në Komitetin Qendror provizor, i propozova shokut Miladin, elementë krejt të rinj nga të tre grupet, elementë që besoja se ishin të papërlyer ose, të përlyer më pak me frymën e grupeve, ose të pajisur me cilësi që më siguronin se do të mund të shkundnin larg prej vetes, atë frymë.
Nga ana tjetër, isha krejt koshient se shokët e propozuar prej meje nga tërë grupet, sado të sakrifikuar për çështjen dhe të pakursyer në punët, s’kishin përgatitjen politike të duhur, për të qenë anëtarë të Komitetit Qendror (këtë fakt ma kish cilësuar edhe shoku Miladin), d.m.th., për të kuptuar problemet politike dhe ekonomike të Shqipërisë në një mënyrë të mjaftueshme, për të konstatuar në çdo kohë gjendjen objektive, rolin e forcës subjektive dhe për të parashikuar situatat e ardhshme.
Veç kësaj, për arsye të papjekurisë politike, shokët që u propozuan dhe u pranuan në Komitetin Qendror, kishin në grupet e mëparshme anëtarë që pranonin udhëheqjen personale të krerëve të grupeve (për shembull udhëheqjen time) dhe kështu pra prezantonin rrezikun që në Komitetin Qendror të ri, të vazhdonin të ishin nën udhëheqjen e një personi, në vend që të jenë edhe vetë kontribuues në udhëheqjen politike të Komitetit Qendror të PKSh-së. Këto të meta kryesore të tyre, shpresoja të mënjanoheshin, derisa të mblidhej kongresi i Partisë, prej të qenurit në Komitetin Qendror si instruktorë, të dy shokëve të Partisë Jugosllave, shokëve Miladin dhe Dushan.
Me pak fjalë, tërë përgjegjësinë ua dorëzova këtyre shokëve (sado që nuk kisha asnjë ide të së kaluarës së tyre), vetëm duke u bazuar në rekomandimin e Komitetin Qendror për Kosovë e Metohi të Partisë Komuniste Jugosllave dhe bindja ime që sado keq të jenë rezultatet, nuk do të kishim qenë më keq sesa, po të vazhdonte lufta e grupeve ose, sesa po të isha unë në Komitetin Qendror, bashkë me krerët e grupeve të tjera, me të cilët (unë me ata dhe ata me mua), kishim pasur një luftë të egër personale.
Sa kohë që nuk ishte mbledhur kongresi i Partisë dhe sa kohë që nuk kishte ardhur një përfaqësues i Kominternit (për të cilin shoku Miladin më kish siguruar se do të vinte), unë krejt nga jashtë, se nga brenda nuk kisha asnjë mundësi, meqë nuk isha as përgjegjës celule, që të merrja pjesë të paktën në aktivin e Tiranës, mbajta një vigjilencë që ish shumë e nevojshme, meqë shokët jugosllavë nuk kishin dijeni për problemet shqiptare dhe meqë duhej t’i jepja raportin Kominternit ose, përfaqësuesit të tij, që shpresoja se do të vinte para kongresit.
Këtë raport do të ma kërkonte Kominterni në bazë të detyrës që më kish ngarkuar ai në vitin 1937. Përsëris, jo vetëm që nuk kam qenë në ndonjë nga forumet që të mund të informohem, por edhe shokët e grupit tim, ose kanë patur frikë të flasin me mua, se mos quhen “grupazhe” ose, kanë folur me mua për punë grupi dhe kam qenë i pari që t’i luftoj e raportoj dhe kështu të bëj që shokët e ish-grupit tim (ata me tendenca grupi ose, me pakënaqësi) të kthehen kundër meje.
Që nga marsi i këtij viti, pra, i kam bërë vërejtje vazhdimisht shokut Miladin, të cilat ai nuk i ka pritur mirë. Vërejtjet e mia kanë qenë në kundërshtim me zgjidhjet që ai u ka dhënë çështjeve të Partisë, zgjidhje që, sipas mendjes sime, janë kopjuar nga gjendja e luftës në Jugosllavi, pra, të majta në Shqipëri. Këto çështje janë:
1 – Çështja e Kosovës;
2 – Çështja e Ushtrisë Shqiptare;
3 – Çështja e nacionalistëve dhe Lufta Nacional-Çlirimtare;
4 – Zgjidhja e problemeve të brendshme sipas një nënvlerësimi të forcave të armikut të jashtëm.
Më parë se të hyjmë në këtë çështje, gjendjen në Shqipëri mund ta përshkruajmë kështu: Urrejtja për zaptuesin është e madhe, por fashizmi e ndalon popullin shqiptar të hyjë në Lëvizje, duke i paraqitur kryesisht këto tre gjëra:
Gogolin e Serbisë dhe të Greqisë,
Përkëdhelimin e faktit që shqiptarët myslimanë, të cilët janë shumica dërrmuese e popullit, në të kaluarën kanë qenë racë sunduese, si brenda në Shqipëri kundrejt feve të tjera, ashtu edhe jashtë, kundrejt popujve të skllavëruar prej Perandorisë Otomane; dhe zotimin që në të ardhmen, do të jenë përsëri “racë sunduese”, në Ballkanin e fashistizuar;
Fakti që Shqipëria është port hyrjeje për Italinë në Ballkan, rezulton me një aktivitet shumë më të madh se në Greqi e në Jugosllavi, njëkohësisht edhe me një gjendje ushqimore më të mirë dhe një politikë temporizatore. Nga ana tjetër, “majtizmi” i Partisë, e ka bërë të zorshme kalimin e popullit nga pasiviteti në të cilin e ka vënë fashizmi, në aksionin që kërkon prej tij Partia.
Partia gëzon simpatinë e popullit por, jo përkrahjen në aksion (në Kosovë nuk gëzon simpatinë, përkundrazi, propaganda antikomuniste e Mustafa Krujës ka patur sukses). Para 7 prillit të vitit 1942, përvjetorit të zaptimit të Shqipërisë, populli merrte pjesë në demonstratat, por këtë 7 prill, populli shqiptar nuk mori pjesë. Ato ditë ishin shpallur ligjet e para ndëshkuese antikomuniste, të Mustafa Krujës.
Demonstratat e këtij përvjetori të zaptimit të Shqipërisë, mbeten pra thjeshtësisht demonstrata kuadrosh dhe simpatizantësh të organizuar dhe sot pas gjashtë muajsh, aksionet e Partisë në qytete dhe në çetat partizane, janë aksione kuadrosh dhe simpatizantësh të organizuar (thuhet se aksioni në Skrapar, që u bë nga mesi i shtatorit, i udhëhequr nga Komiteti Qarkor i Korçës, pati përkrahjen e një pjese të fshatarësisë, por akoma nuk dimë gjë deri në ç’masë në të vërtetë).
Pra Partia ndodhet përpara detyrës, të kalojë nga gjendja ku populli i Shqipërisë është sehirxhi (spektator) simpatizues, në gjendjen ku populli të hyjë në vallen e aksioneve, kalim që është i domosdoshëm, për të siguruar Partinë kundër izolimit dhe eventualitetit të një reaksioni të gjerë. Në këtë drejtim, kam shpresë që do të kontribuojnë rezultatet e Konferencës me nacionalistët, që u mbajt në Pezë më 16 shtator.
Çështja e Kosovës!
Për shqiptarët e Kosovës që përbëjnë 60-65% të popullsisë së atjeshme dhe 2/3 e popullsisë së Shqipërisë së vjetër (kufijve të 1913), Partia ka heshtur sistematikisht, duke thënë (fjalët e shokut Miladin) se kjo çështje nuk na përket neve, po i përket Partisë Komuniste Jugosllave. Rezultati ka qenë se në fushën e propagandës së brendshme, këtu e në Kosovë, Mustafa Kruja ka pasur duart e lira.
Në mars-prill 1942, u botua një proklamatë në shqip, drejtuar shqiptarëve të Kosovës, nga ana e Komitetit Qarkor për Kosovë e Metohi të Partisë Komuniste Jugosllave. Nën këtë nënshkrim ndodhej edhe ai i PKSH-së. Regjimi fashist menjëherë u kap pas kësaj proklamate, e ribotoi në gazetat e tij, e shtypi në kartë të mirë si trakt qeveritar dhe e shpërndau në Kosovë dhe në Shqipëri, për të provuar që komunistët shqiptarë ia kanë lënë Kosovën Serbisë. /Memorie.al