Të hënën, Gjykata Supreme vendosi që presidenti Donald Trump mund të vazhdojë me planin për të pushuar masivisht punonjësit e Departamentit të Arsimit, duke shënuar një tjetër fitore për Shtëpinë e Bardhë në një gjykatë të lartë me shumicë konservatore.
Me një urdhër të pa firmosur, gjykatësit pezulluan përkohësisht vendimin që e kishte bllokuar planin e Trump-it për një kohë të pacaktuar. Vendimi i Gjykatës Supreme, në praktikë, ngrin atë vendim derisa të përfundojë beteja ligjore.
Tre gjyqtarët liberalë votuan kundër.
Në një kundërshtim të ashpër, gjyqtarja Sonia Sotomayor, anëtarja më e vjetër liberale e gjykatës, e quajti “të pa mbrojtur” vendimin për t’i lejuar Trump-it shpërbërjen e një agjencie që, normalisht, mund të mbyllet vetëm nga Kongresi.
“Shumica është ose verbërisht e pandjeshme ndaj pasojave të vendimit të saj, ose naive; në të dy rastet, kërcënimi për ndarjen e pushteteve të sanksionuar nga Kushtetuta jonë është serioz. Nuk mund ta pranoj këtë keqpërdorim të rolit tonë urgjent, ndaj kundërshtoj me respekt”, shkroi ajo.
Trump kishte urdhëruar pushimet masive në fillim të vitit, duke reduktuar forcën punëtore të departamentit në gjysmë, por gjykatat e shkallës më të ulët e kishin bllokuar nismën, duke kujtuar se Departamenti i Arsimit është themeluar nga Kongresi.
Gjyqtari Myong Joun, i emëruar nga ish-presidenti Joe Biden, kishte ndaluar pa afat planet e Trump-it për të shpërbërë agjencinë dhe kishte urdhëruar rikthimin në detyrë të rreth 1400 punonjësve të pushuar. Vendimi kishte ardhur pas një padie të ngritur nga një sindikatë mësuesish, distrikte shkollore, shtete dhe shoqata arsimore.
Duke theksuar se departamenti “nuk mund të mbyllet pa miratimin e Kongresit”, Joun kishte shkruar se pushimet e parashikuara nga Trump “ka të ngjarë ta paralizojnë atë”. “Dokumentet tregojnë qartë se qëllimi real i të paditurve është shpërbërja faktike e departamentit pa një ligj që ta autorizojë këtë”, shtoi ai.
Gjykata e Apelit e Qarkut të Parë, me seli në Boston, kishte refuzuar njëzëri në qershor kërkesën për të rrëzuar atë vendim, dhe Trump kishte apeluar në Gjykatën Supreme.
Në apelimin e saj, administrata Trump argumentoi se ndërhyrja në Departamentin e Arsimit ka të bëjë me “vendime të brendshme menaxheriale” dhe “eliminimin e funksioneve diskrecionale që, sipas administratës, është më mirë t’i lihen shteteve”.
Megjithëse gjatë fushatës elektorale Trump kishte premtuar eliminimin e plotë të departamentit, avokatët e tij i thanë Gjykatës Supreme se nuk është ky rasti. Departamenti, sipas tyre, do të vazhdojë të kryejë funksionet e parashikuara me ligj, por me shumë më pak personel.
Departamenti i Arsimit, i krijuar gjatë administratës Carter, merret me shpërndarjen e fondeve federale për shkollat, menaxhimin e financimeve për studentët e universiteteve, dhe zbatimin e ligjeve për të drejtat civile, përfshirë mbështetjen për studentët me aftësi të kufizuara. Megjithatë, shumica e politikave publike arsimore mbetet përgjegjësi e shteteve.